Bruksel, takimi Mustafa-Vuçiç pa marrëveshje të re

22.04.2015 12:32

Ka përfunduar në Bruksel raundi i radhës i bisedimeve midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq...

Dy palët kanë analizuar përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, duke vënë theksin te zbatimi i Marrëveshjes për Drejtësinë dhe fillimi i zbatimit të marrëveshjeve për Mbrojtjen Civile si dhe  për çështjet kryesore të pazgjidhura: energjinë, telekomin dhe krijimin e Asociacionit të komunave serbe.

Kryeministri Mustafa, tha  se ka përafrime sa i përket çështjes së energjisë por  nuk është diskutuar për asnjë modalitet të Asociacionit të Komunave Serbe dhe se çdo modalitet duhet të jetë në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Mendoj se çështja është e zgjidhshme. Ka ekzistuar një pajtueshmëri, që është arritur, por nuk ka përfunduar tërësisht. Do të punohet. Qëllimi themelor është që distribuimi i energjisë elektrike të bëhet në mënyrë unike, vetëm përmes një operatori në tërë Republikën e Kosovës. Menaxhimi po ashtu të bëhet në mënyrë të drejtë dhe nga institucionet e Kosovës, por kjo duhet të përfundojë me një marrëveshje” deklaroi Mustafa.

Kryeministri i Serbisë, Vuçiq, prezwentoi aritjen emareveshjes  për hapjen e dy vendkalimeve mes dy vendeve si dhe whstw diskutuar  për kthimin e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

“Në ditët e ardhshme do të vendoset për kthimin e përfaqësuesve serbë në Qeverinë e Kosovës, për arsyen e thjeshtë se është marrë vendim që të mos bëhet privatizimi në mjediset serbe. Ky ka qenë një nga kushtet kryesore që Lista Serbe të kthehet në organet e Kosovës”, deklaroi Vuçiq.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, çfarë është edhe kusht për përparimin e tyre drejt integrimit në BE. Kosova është në pritje të vendimit të Këshillit të BE-së për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërsa Serbia, edhe pse është duke negociuar anëtarësimin në BE, nuk ka arritur ende të hapë ndonjë kapitull.

Takimi i së martës ka qenë i dyti që kur Mustafa dhe Vuçiq janë zgjedhur në krye të qeverive përkatëse.