Maqedoni
Mexhiti në Tiranë takon krerët e shtetit
28.08.2024 16:00
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Tiranë, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut...

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Tiranë, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministër i Mjedisit dhe planifikimit Hapësinor, u prit nga presidenti, Bajram Begaj.
Në njoftimin e presidencës thuhet se gjatë takimit u nënvizua nevoja për thellimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në ekonomi, shkëmbimet tregtare, infrastrukturë, turizëm e kulturë, si dhe bashkëpunimi për avancimin e procesit të integrimit evropian e të nismave rajonale.
Begaj vlerësoi rolin e patjetërsueshëm të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut për paqen, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe orientimin e palëkundur euroatlantik, ndërsa u theksua rëndësia e një angazhimi të përbashkët për të avancuar me tej procesin e integrimit në BE.
Në rrjetet sociale edhe zëvendëskryeministri Mexhiti zbardhi pjesë nga takimi, ku thuhet se diskutimet u përqendruan në projekte me interes strategjik për të dy vendet, siç janë korridori i 8-të, hekurudha Kërçovë-Lin, largpërçuesi Manastir-Elbasan dhe projekte të tjera të cilat shërbejnë si ura lidhëse.
“Në këtë frymë u shpreh edhe ideja për organizimin e një eventi të përbashkët trepalësh mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës për të përkujtuar Kongresin e Manastirit, një moment historik që simbolizon unitetin dhe forcën e kombit tonë.”, shkruan Mexhiti.
Mexhiti ishte i ftuar në Konferencën e Ambasadorëve të Shqipërisë dhe në ditën e parë të vizitës ai u prit edhe nga kryeministri, Edi Rama; kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj; si dhe nga ministrat Hasani, Vëngu dhe Kumbaro.
LULJETA NDOKA
