Botë
Izraeli nis operacion në Bregun Perëndimor, Tel Aviv: Qëllimi është të luftojmë terrorizmin
28.08.2024 17:03
Vijon operacioni izraelit në Bregun Perëndimor. Një bastisje po kryhet edhe në rrethin Tulkarem...

Vijon operacioni izraelit në Bregun Perëndimor. Një bastisje po kryhet edhe në rrethin Tulkarem, nga ku dyshohet se ishte planifikuar sulmi me bombë që ndodhi në Tel Aviv. Po ashtu vijoi shkatërrimi i pajisjeve ushtarake të Hezbollahut në Liban. Një ushtar izraelit u vra në Gazë, ndërsa pati viktima dhe të plagosur në një sulm ajror në Kan Junis.
“Dëgjuam zhurmën e goditjes dhe më pas shpërthimin. Vrapuam dhe e pamë që vendi digjej. Nuk jemi informuar apo paralajmëruar për evakuim, kjo është një padrejtësi. Është e papranueshme ajo që po i bëjnë popullit. Mjaft më!”, - tha një banore.
Pengu izraelit Farhan Alkadi u lirua nga një tunel nëntokësor në jug të enklavës.
“Një nga pengjet tona u shpëtua me sukses nga një tunel nëntokësor në jug të Gazës. 52-vjeçari Farhan është baba i njëmbëdhjetë fëmijëve. Gjendja e tij është e mirë, ai takoi familjen e tij.”, - deklaroi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Daniel Hagari.
Shpëtimi solli një moment të rrallë gëzimi, por edhe një kujtim të dhimbshëm se dhjetëra pengje janë ende në robëri. Në një bisedë telefonike me Netanjahun, Alkadi kujtoi se njerëzit presin të lirohen.
“Jam mirënjohës që më shpëtuat dhe që mund të shoh familjen time dhe të jem këtu me ta, por ka njerëz të tjerë atje që ende presin.”, - tha një peng izraelit, Kaid Farhan Alkadi.
Netanjahu përsëriti se askush nuk do të harrohet dhe se ata janë të përkushtuar për kthimin e të gjithë pengjeve.
“Ne po punojmë pa u lodhur për t’i rikthyer të gjithë pengjet tanë - përmes negociatave dhe operacioneve të lirimit. Ne do të vazhdojmë të veprojmë derisa t’i sjellim të gjithë në shtëpi.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë vazhdojnë negociatat në nivel të grupeve të punës në Kajro për një armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve të tjerë.
FLUTURA LATIFI
