Dëshmi të reja mbi tragjedinë në Mesdhe, kapiteni ishte i dehur dhe pinte hashash

22.04.2015 12:46

Dëshmitë e disa të mbijetuarve të tragjedisë së fundit në Mesdhe kanë ndihmuar në rindërtimin fillestar të ngjarjes nga Prokuroria e Katanias...

Kapiteni i anijes së fundosur në fundjavë ishte i dehur dhe tymoste hashash në timon, thonë dëshmitarët. Kur pa të afrohej anija portugeze e mallrave që deshi t’i ndihmonte, tentoi të largonte mjetin. Por, manovrat e gabuara provuan krejtësisht efektin e kundërt, duke çuar drejt një përplasjeje. Prej gati 900 vetëve që ishin në bordin e mjetit të tejmbushur, nuk arritën të shpëtonin më shumë se 27. Me qindra vetë, mes të cilëve gra e fëmijë, sipas tij, u mbytën si të zënë në çark, sepse ishin të bllokuar në hambarin e anijes.

Policia ka arrestuar kapitenin e anijes, tunizianin 27 vjeçar, Mohammed Alì Malek, që ishte prezantuar si emigrant në fillim, por më pas u zbulua se ai ishte fajtori për aksidenti. Bashkë me të u arrestua edhe një anëtar i ekuipazhit.

Një numër gjithmonë e më i madh njerëzish nisen nga udhëtimet e rrezikshme drejt Evropës dhe pikërisht brigjet e Italisë janë shndërruar në shënjestrën kryesore të trafikantëve të njerëzve. Sipas zyrtarëve italianë, mund të ketë deri në një milion njerëz të tjerë që presin rastin të ngjiten në anije në Libinë e përfshirë nga kaosi.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit ka lëshuar alarmin. Zëdhënësi Joel Millman tha nga Gjeneva se shifrat e emigrantëve të vdekur janë të frikshme.

“Deri më tani, në 2015 janë mbytur 30 herë më shumë emigrantë se një vit më parë, kur deri në muajin maj kishim 56 viktima. Druhemi se shifra prej 3279 emigrantësh të vdekur në Mesdhe për 2014 mund të tejkalohet brenda pak javësh dhe në fund të vitit ky numër të tejkalojë edhe 30 mijë të mbytur”- deklaroi zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, Joel Millman.

Rreth 25.000 njerëz janë mbytur në 10 vitet e fundit, në përpjekje për të mbërritur në Evropë. Por, fundjava dëshmoi edhe njëherë në mënyrën më drastike se politika e deritanishme e BE-së për refugjatët ka dështuar.  (Leunora Kaliqi, TVM2)