SHGM dënon ashpër kërcënimin ndaj gazetarit Jovanovski

22.04.2015 13:08

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë dënon ashpër kërcënimin morbid me jetë të gazetarit Borjan Jovanovski dhe familjes së tij. Dërgimi i kurorës me lule me porosi lamtumira e fundit në shtëpinë e gazetarit Jovanovski është akt qyqar kundër të gjithë gazetarëve në Maqedoni...

“Fuqishëm solidarizohemi me Jovanovskin, ndërsa dërguesve të këtyre kërcënimeve ju themi se me këto porosi të frikshme nuk do t’i zmbrapsin gazetarët nga misioni i tyre për ta informuar opinionin për realitetin në Maqedoni. Ftojmë të gjitha institucionet kompetente për ndriçimin e këtij rasti, Ministrinë e punëve të brendshme dhe Prokurorinë publike menjëherë t’i zbulojnë dhe dënojnë inspiruesit dhe dërguesin e kërcënimeve me jetë kundër gazetarit Jovanovski”, thuhet në reagimin e SHGM-së.

SHGM vlerëson se ky incident është pasojë e përhapjes së gjuhës së urrejtjes në media të nxitur nga sjellja e partive politike në Maqedoni.

“Përkujtojmë opinionin se deri tani asnjë incident ku gazetarët kanë qenë objekt i dhunës, pengimit të punës, kërcënimeve verbale, gjuhës së urrejtjes dhe presioneve nuk ka marrë epilog gjyqësor. Kjo sjellje e papërgjegjshme e institucioneve nxit dhunuesit të vazhdojnë me kërcënimet ndaj gazetarëve”, thuhet në reagimin e SHGM-së.