Botë

Tryeza për të zhdukurit, Kurti: E përsërisim kërkesën për hapjen e arkivave

29.08.2024 13:50

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur..

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ka kërkuar hapjen e arkivave të shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë, si dhe mbështetjen ndërkombëtare për këtë. Ai ka cituar thënien e Sllobodan Millosheviqit “nuk ka kufomë, nuk ka krim”, strategji e cila, siç tha Kurti, po vazhdohet ende nga pasardhësit e tij politikë, të cilët refuzojnë hapjen e arkivave serbe. 

“Sivjet janë bërë 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Forcat e Serbisë kryen mijëra masakra dhe zhdukje me dhunë të popullit të Kosovës. “Nuk ka kufomë, nuk ka krim”, ishte strategjia e serbëve për krimet e kryera në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga pasardhësit politik të Millosheviqit në Beograd.”, - deklaroi kryeministri, Albin Kurti. 
 
Kryeministri bëri të ditur se këtë javë, pas shumë përpjekjeve e angazhimeve, kanë filluar përgatitjet për gërmimet në lokacionin në Kozle mes Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat e tyre për këtë lokacion. 
 
“Ritheksojmë zotimin tonë për drejtësi për krimet e luftës për 1 mijë e 595 persona të zhdukur me dhunë  gjatë luftës së fundit. Për adresim të personave të zhdukur kemi rritur kapacitetet tona, kemi ngritur numrin në 41 hetues. Kemi nevojë për drejtësi që ekzekutorët të vendosen prapa grilave. Kemi nevojë edhe për mbështetje ndërkombëtare, por edhe për mobilizim kombëtar. Kriminelët e luftës duhet të përballen me drejtësi, sepse këto krime nuk harrohen e as nuk falen.”, - theksoi kryeministri, Albin Kurti.
 
Kurti gjithashtu njoftoi se sipas të dhënave të qeverisë janë rreth 13 lokacione të vlerësuara në gërmime për personat e zhdukur brenda territorit të Kosovës. Kosova nuk do të ndalet derisa të zbardhet, derisa të dihet fati i tyre dhe vendndodhja e tyre, përmes ndriçimit të së vërtetës, shton Kurti.

GAZMEND KURTISHI