Një person i lënduar nga të shtënat në Haraçinë, MPB: Merren masa për zbardhjen e rastit
Një person ka mbetur i plagosur...

Një person ka mbetur i plagosur nga të shtënat që kanë ndodhur mbrëmë në fshatin Haraçinë, informuan nga MPB-ja. I plagosuri është një 24-vjeçar nga fshati Haraçinë dhe është transferuar në kompleksin klinik “Nënë Tereza” për t’i dhënë ndihmë mjekësore.
Nga MPB-ja thonë se po merren masa për zbardhjen e rastit.
“Mbrëmë rreth orës 21:00 në SPB-Shkup është paraqitur se në Haraçinë ka të shtëna me armë ndaj një 24 vjeçari, i cili pasi ka marrë lëndime është transferuar në kompleksin “Nënë Tereza”. MPB-ja punon në zbardhjen e rastit dhe ndërmerr masa adekuate.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Nga kompleksi i klinikave “Nënë Tereza” konfirmojnë se gjysmë ore pas të shtënave i plagosuri është hospitalizuar.
“Të plagosurit i është ofruar ndihmë adekuate mjekësore. Pacienti është diagnostifikuar nga ekipet kujdestare dhe është udhëzuar për analiza të mëtejshme në kuadër të repartit të kirurgjisë.”.
Banorët e Haraçinës nuk duan të prononcohen për këtë incident, por thonë se si pasojë e incidenteve të tilla nuk ndjehen të sigurt.
“Ka pasur të shtëna, ashtu dëgjuam, dhe kishte forca të shtuara policore. Nuk ndjehemi aspak të sigurt.”, - tha një banor i Haraçinës.
Në prill të këtij viti, në Haraçinë ka pasur edhe tentativë për të vrarë Kryetarin e komunës. (Flutura Latifi, TVM2)
