Maqedoni

Situata me zjarret në vend, QMK: 3 zjarre aktive, 2 nën kontroll

29.08.2024 14:34

Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit në tërë territorin e vendit...

Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit në tërë territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 39 zjarre aktive në ambiente të hapura. Prej tyre, 33 janë shuar tërësisht, një është duke u mbajtur nën kontroll të pjesërishëm, ndërsa 5 të tjera rezultuan të jenë aktive edhe gjatë ditës së enjte. Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë dhe punonjësve komunal, herët në mëngjes kanë arritur t’i vënë nën kontroll edhe dy vatra tjera, ndërsa pa ndërprerje po intervenojnë nga ajri dhe toka për t’i shuar edhe tre zjarret tjera aktive në komunën e Dollnenit, malit Serta dhe Koliçan të Epërm në komunën e Studeniçanit. 
 
“Prej 5 zjarreve aktive që patëm në mëngjes aktualisht kanë mbetur  vetëm 3 zjarre aktive në vend, pasi që dy prej tyre i kemi vënë nën kontroll, respektivisht është shuar një zjarr në malin Mukost në komunën e Çashkës dhe tjetri zjarr në komunën e Studeniçanit, respektivisht në Cërvena Vodë. Për momentin po punojmë në shuarjen e zjarrit të  dytë në po në këtë komunë, respektivisht në fshatin Koliçan të Epërm, ku atje veprojnë ekipe të përbashkëta duke e përfshirë edhe aeroplanin “Air Traktor”. Njëkohësisht po punohet edhe në shuarjen e zjarrit në komunën e Dollnenit dhe në një zjarr në malin Serta, sepse ky zjarr u rindez pas 30 ditësh pasi  u shua.”, - deklaroi udhëheqësi i Sektorit për Operacion dhe Koordinim – QMK, Goran Stojanovski. 
 
Autoritetet e QMK-së shpresojnë se reshjet e paralajmëruara të shiut gjatë ditëve në vijim do t’i ndihmojë për t’i shuar tërësisht të gjitha vatrat aktive. Autoritetet e QMK-së kanë bërë të ditur se kanë filluar të bëjnë përllogaritjet për dëmin e shkaktuar nga zjarret masive që kapluan vendin, të dhëna të cilat parashikohen të shpallen pas përfundimit të gjendjes së krizës më 12 shtator.
 
REXHEP QAMILI