Ukrainë, vazhdojnë sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës
Rusët sulmuan tri herë Kievin në katër ditët e fundit...

Rusët sulmuan tri herë Kievin në katër ditët e fundit. Mbrojtja e Ukrainës rrëzoi mbi 10 dronë mbi qytet. Kundërpërgjigje përsëri në Belgorod. Autoritetet ruse kanë konfirmuar se ka viktima dhe të plagosur. Trupat e Kievit përparojnë në Kursk, forcat ruse në drejtim të Pokrovskit.
“Është jashtëzakonisht e vështirë në Pokrovsk, forcat më të mëdha ruse janë të përqendruara atje dhe rezistenca jonë për të shkatërruar pushtuesin tani është shumë e rëndësishme. Ne po zgjerojmë kontrollin në rajonin e Kurskut. Ne vazhdojmë të këmbëngulim që heqja e kufizimeve për sulmet me rreze të gjatë tani do të na ndihmojë ta përfundojmë luftën më shpejt.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kievi do të vazhdojë të paguajë për aventurën e tij në Kursk, kërcënoi përfaqësuesi rus në OKB.
“Në mungesë të rezervave që forcat e armatosura ukrainase kanë transferuar në Kursk, trupat ruse tani po çlirojnë bastionet e fundit që ukrainasit kanë fortifikuar dhe mbajtur që nga viti 2014. Ky është vetëm fillimi. Ukraina do të na paguajë mirë për aventurën e Kurskut.", - theksoi zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Dmitri Polianski.
Aleatët kanë frikë të miratojnë një politikë të re mbështetjeje për Ukrainën për shkak të frikës nga përshkallëzimi, thotë kreu i diplomacisë ukrainase. BE-ja po rrit presionin ndaj mbështetësve ndërkombëtarë të Kievit për të hequr kufizimet e armëve dhe për t'i lejuar ata të sulmojnë objektivat në Rusi. Në Bruksel - një takim jozyrtar i ministrave të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të BE-së.
“Jam i sigurt se do të na shpjegoni pse duhet të heqim kufizimet. Gjatë verës kam bërë deklarata në mbështetje të këtij vendimi – armët që i japim Ukrainës duhet të përdoren plotësisht, përndryshe ato janë të padobishme.”, - u shpreh përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Një nga çështjet e hapura në agjendën tonë është leja që Ukraina të sulmojë objektivat legjitime ushtarake në thellësi të Rusisë. Kjo do të reduktojë ndjeshëm kapacitetin e Moskës. Prandaj, ata që do të akuzojnë Ukrainën se nuk është mjaft e suksesshme, duhet të kujtojnë se suksesi i Rusisë varet nga një gjë - gatishmëria e partnerëve të saj për të marrë vendime të guximshme.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba.
Në të njëjtën kohë, NATO-ja konfirmoi angazhimin e saj për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, ndërsa Britania dhe Gjermania theksuan se nuk ka vendime të reja në lidhje me përdorimin e armëve nga Perëndimi. (Fitore Demolli, TVM2)
