Maqedoni
Hekurudha drejt Bullgarisë, Ministria lë komisionet e evaluimit
29.08.2024 15:12
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve së bashku me Ndërmarrjen Publike “Hekurudhat” tërheqin anëtarët e tyre...

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve së bashku me Ndërmarrjen Publike “Hekurudhat” tërheqin anëtarët e tyre nga komisionet evaluuese të cilat duhet të bëjnë përzgjedhjen e realizuesve dhe mbikëqyrësve të fazës së tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë. Arsyeja është projekti i parealizueshëm. Autoritetet e vendit planifikojnë që së bashku me palën bullgare, BE-në dhe bankat për investim, të përpilojnë projekt të realizueshëm që s’do të përfundonte në mes të tunelit dhe në rrugë qorre.
“Të përpilojmë projekt i cili do të thotë ndërtim të hekurudhës drejt Bullgarisë dhe nuk do të thotë mos ndërtim të saj, pasi që ky projekt që kemi për momentin nuk është real, i parealizueshëm dhe nuk mund të përfundojë pasi që duhet të ndërtohen 22 tunele dhe 56 ura në vetëm 23 kilometra. Është shumë i shtrenjtë, 20 milionë euro për kilometër dhe nga ana tjetër Bullgaria nuk ka kryer punën pasi rruga përfundon në tunel që nuk shpie askund.”, - theksoi ministri për Transport dhe Lidhje, Aleksandar Nikollovski.
Rruga Shkup – Bllacë, Nikollovski: Mungojnë para për trasenë e nisur
Autostrada paralele me hekurudhën drejt Bullgarisë pritet të shohë dritën kah fundi i vitit. Sa i përket rrugës Shkup – Bllacë, Nikollovski paralajmëron revizion, pasi projekti realizohet në trase malore jashtë planifikimit, për të cilën mungojnë para. 6 kilometra nga gjithsej 12 të trasesë malore, janë tunele, sipas ministrit vështirë të realizueshme. Për një muaj e gjysmë do të mësohet fati i rrugës.
“Mund të na ndodh e njëjta sikurse me hekurudhën drejt Bullgarisë. Edhe pse autostrada mund të kushtojë shumë shtrenjtë, për momentin kap vlerën 240 milionë euro, 20 milionë euro për kilometër, ngjashëm sikurse me hekurudhën, pyetja është se a do të mund që të realizohet. Ju një gjë mund të vizatoni rrugë në zyrë, tjetër gjë është t’i realizoni në terren.”, - deklaroi ministri për Transport dhe Lidhje, Aleksandar Nikollovski.
Qeveria gjithashtu ka marrë vendim që të subvencionojë linjat e trafikut ajror. Javën që vjen nisin shpalljet drejtuar kompanive dhe pritet që vitin e ardhshëm, 200 mijë udhëtarë më shumë të zbresin në Maqedoninë e Veriut.
MERAL ISMAILI
