Maqedoni

Seanca e Këshillit të Qytetit të Shkupit, Shkupi pa autobusë të rinj ekologjik

29.08.2024 17:40

Në Shkup nuk do të ketë as autobusë të rinj, as transport të shpejtë me autobusë....

Në Shkup nuk do të ketë as autobusë të rinj, as transport të shpejtë me autobusë. Shumica e Këshillit të Qytetit të Shkupit sërish nuk votuan për blerjen e autobusëve të rinj ekologjikë. Për këtë pikë nuk votuan këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, ndërsa të gjithë të tjerët votuan “pro”. Vendimi mori 20 vota, por nuk mjaftuan për të kaluar, sepse duhen 23 vota. Kryetari i Këshillit nga VMRO-DPMNE, Trajko Sllaveski, tha se nuk do ta votojë vendimin, sepse në buxhetin e vitit 2024 nuk ka pasur para për këtë qëllim dhe nuk dihet se cili do të jetë buxheti i vitit 2025. Ndërsa kryetarja Arsovska insistoi që të ndryshohet vendimi për nevojën e blerjes së eko autobusëve dhe që mjetet nga buxheti të ridestinohen. Ajo e akuzoi Sllaveskin se po luajnë me qytetarët.
 
“Tani ju thatë se nuk dëshironi huamarrje me kredi, atëherë le të ulemi të gjithë së bashku dhe të ripërdorim aq para sa mendoni se nevojiten. Nuk pranoni asgjë, kurse qytetarët presin me orë të tëra autobusin. Nuk ka shpjegim tjetër veçse po bëni shaka dhe doni kaos në transportin publik. E po bashkë me mua premtuat 250 autobusë ekologjikë, Mickoski qëndronte pranë meje dhe fliste për atë, e tani nuk votoni.”, - deklaroi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
 
Përderisa këshilltarët nga VMRO-DPMNE kërkonin zgjidhje të shpejtë, pasi të hënën fillon viti shkollor, LSDM-ja është bindur se në buxhetin e Qytetit të Shkupit ka para për autobusë të rinj.
 
“Këto deklarata që ju kryetare Arsovska i jepni se dikush me qëllim po bojkoton qytetin, është vetëm PR i thjesht. Ja, 2 shtator është të hënën, fëmijët do të shkojnë në punë, ja një fletë të bardhë tregoni se si do ta zgjidhni transportin nga 2 shtatori, për shkak se këtë që ju e thoni për prokurimin e autobusëve të ri, është pas 1 viti së paku nga tani.”, - theksoi këshilltari i VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit, Martin Stojanovski.
 
“Në Qytetin e Shkupit për të bërë prokurim duhet të hyjë në programin zhvillimor. Ju javën e  kaluar votuat për rebalancin e buxhetit, por nuk votuat programet. A mendoni se në buxhetin e qytetit të Shkupit nuk ka 10 milionë euro. Këtu askush nuk ka interes për të përfaqësuar interesin e qytetarëve të Shkupit.”, - u shpreh këshilltari i LSDM-së.
 
Në seancë nuk u votua as zëri për futjen e transportit me autobusë të shpejtë BRT, për të cilin BERZh-it iu mor një kredi prej 70 milionë eurosh. Për këtë pikë nuk votuan VMRO-DPMNE-ja, “E Majta” dhe Qyteti Human i Gjelbër. Situata me transportin publik është përkeqësuar prej muajsh, ndërsa probleme më të mëdha do të ketë nga e hëna, atëherë kur do të fillojë viti shkollor.  
 
ERUAN PAJAZITI