Maqedoni

Donacion, pajisje nga Turqia për ushtrinë e RMV-së

30.08.2024 14:04

Në kazermën “Ilinden” në Shkup është bërë dorëzimi i donacionit të pajisjeve ushtarake nga Republika e Turqisë..

Në kazermën “Ilinden” në Shkup është bërë dorëzimi i donacionit të pajisjeve ushtarake nga Republika e Turqisë për nevojat e ushtrisë së vendit tonë. Donacioni turk përbëhet nga dronë, pajisje komunikimi, pajisje për shikimin e natës dhe pajisje tremujore. Bëhet fjalë për një donacion shumë të rëndësishëm, tha ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
 
“Ky donacion edhe njëherë tregon në vepër përkushtimin e Turqisë për përforcimin e kapaciteteve tona ushtarake. Donacionet nga Turqia dukshëm kanë përmirësuar pajisjet tona ushtarake, e të cilat janë në përputhje me standardet e NATO-s, por edhe shkollimin e kapaciteteve tona njerëzore në Turqi.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
 
“Përmes trajnimeve të njësive për mbrojtje dhe shërbimeve të mbrojtjes, si vend kemi dhënë kontribut të mjaftueshëm në rritjen e kapaciteteve njerëzore të RMV-së. Por, një ndihmesë e madhe në raportin tonë kanë qenë edhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Bashkërisht kemi qenë edhe ushtarë të mbrojtjes dhe sigurisë globale duke qenë pjesë e kontingjenteve ushtarake të NATO-s, në të gjitha pjesët e planetit tonë. Edhe mesazhi i presidentit tonë Rexhep Taip Erdogan është që ky bashkëpunim i yni të vazhdojë.”, - theksoi ambasadori i Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoj.
 
Donacioni nga Turqia vjen pikërisht në shënimin e ditës së forcave të armatosura të Republikës së Turqisë. Sipas dy vendeve, përforcimi i kapaciteteve ushtarake i të dyja vendeve është në të mirën e përgjithshme për sigurinë e rajonit. Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, mes tjerash ka theksuar edhe domosdoshmërinë e rritjes së investimeve në kapacitetet e armatës, duke rritur buxhetin e armatës deri në 2.15 dhe 2.30 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. I pyetur për ndihmën ndaj Ukrainës, Misajllovski tha se pakoja e re me ndihma ndaj Ukrainës do të miratohet në qeveri pasi të gjithë ministrat të pajisen me certifikatë të sigurisë. 
 
FITIM KRYEZIU