Autostrada Shkup-Bllacë, Zekolli Shaqiri: Projekti vazhdon, kërkojmë zgjidhje më efikase

30.08.2024 15:02

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri....

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, përmes një reagimi me shkrim ka sqaruar deklaratën e  ministrit Nikollovski se do të rishikohet ndërtimi i autostradës Shkup - Bllacë dhe se pjesa e dytë prej 12 kilometrave është e vështirë të realizohet.

Sipas Zekolli Shaqirit, Nikollovski nuk ka deklaruar se projekti i autostradës Shkup - Bllacë nuk do të përfundojë, por kërkohet një zgjidhje më e përshtatshme.

Ajo sqaron se segmenti i parë prej dy kilometrash ka përfunduar dhe pritet që për qarkullim të hapet brenda dy muajve të ardhshëm.

Në reagimin me shkrim thuhet se për pjesën tjetër të autostradës po shqyrtojnë mundësinë e riprojektimit për të siguruar një zgjidhje më të përshtatshme dhe më të qëndrueshme.

“Nga 12 kilometrat e planifikuara, 6 kilometra janë parashikuar të jenë tunele, duke e bërë këtë projekt jashtëzakonisht të kushtueshëm pa arsye të qarta me një kosto të parashikuar prej afërsisht 240 milionë euro për 12 kilometrat e mbetura ose rreth 20 milionë euro për kilometër, gjë që e bënë këtë projekt një ndër projektet me koston më të lartë për një kilometër në rajon. Aktualisht, ne si ministri po shqyrtojmë mundësitë për një trase alternative, më të favorshme, që do të kalojë përgjatë rrugës ekzistuese. Kjo zgjidhje do të sigurojë një qasje më të lehtë për qytetarët dhe një kosto ndërtimi më të arsyeshme, në përputhje me standardet normale të ndërtimit të rrugëve.”, thuhet në reagim.

Zekolli Shaqiri thotë se qëllimi i ministrisë është të përfundojnë projektin Shkup - Bllacë në mënyrë efikase dhe me kosto efektive.

Ndërkohë ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka njoftuar se Qeveria ka sjell Ligj të ri për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për realizimin e autostradës Kërçovë - Ohër, i cili shpresoj se javën e ardhshme do të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë dhe me atë ligj një nga problemet themelore për realizimin e autostradës Ohër - Kërçovë do të zgjidhet. (Sanije Duraku, TVM2)