Maqedoni

Ligji për gjuhët dhe “balanceri”, Kostadinovski: Jemi të detyruar t’i heqim dilemat

30.08.2024 16:24

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka shkaktuar kaos, ndërsa Gjykata Kushtetuese është në lëvizje për të marrë një vendim...

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka shkaktuar kaos, ndërsa Gjykata Kushtetuese është në lëvizje për të marrë një vendim, ka thënë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në një intervistë për MIA-n. Kostadinovski tha se nuk mund të përjashtohet edhe shfuqizimi i këtij ligji. 
 
“Me Ligjin për Gjuhët, politika krijoi një lloj kaosi juridik, i cili rezultoi me kaos politik, mosbesim, dilema. Publiku ka parë tashmë raportin e Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese është në lëvizje jo për të qenë e mençur, por për të marrë një vendim të bazuar në kushtetutë-ligjore dhe të arsyetuar. Çfarë mund të vendoset, nuk e di, nuk mund ta di dhe nuk do të komentoj.”, thotë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, për MIA-n.
 
VLEN: Nisma është tentim për grushtshtet
 
Kјо deklaratë ka nxitur reagime të menjëhershme te subjektet politike shqiptare në pushtet dhe opozitë. Nga VLEN-i këtë nismë e konsiderojnë si tentim për grushtshtet. Ata nuk duan të cenojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, por thonë se nëse ky ligj përdoret për politika ditore, e njëjta do të sjellë rreziqe.
 
“Duke pasur parasysh faktin se iniciativa vjen nga një parti anti-NATO që glorifikon regjimin komunist të Enver Hoxhës, më e pakta që presim është që kjo të refuzohet me konstatimin se është një përpjekje për grushtshtet. Kjo veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për kontestimin e procesit të hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u thelluar në përmbajtjen e tij.”, thuhet mes tjerash në reagimin e VLEN-it.
 
FE: Të mos preket gjuha shqipe
 
Nga “Fronti Evropian” kërkojnë të mos preket gjuha shqipe, ndërsa paralajmërimet për “heqje të dilemave” i shohin si të motivuara politikisht. Këto tema nuk kanë dilema dhe janë mbyllur me amendamentet kushtetuese me ligjet tjera në fuqi, paralajmërojnë nga “Fronti Evropian”.
 
“Dilemat eventuale janë konsumuar dhe zgjidhur në institucionin më të lartë ligjvënës në Kuvendin e RMV-së dhe shumica dërmuese prej tyre me konsensus politik dhe me miratim të ekspertëve të fushatës. Për të gjitha këto arritje që i siguruan vendit kohezionin ndëretnik, barazinë e bashkësive etnike dhe qytetarëve në përgjithësi, si dhe të ardhmen euroatlantike, garantues janë edhe faktori ndërkombëtar, ShBA-ja dhe vendet anëtare të BE-së.”, shtojnë nga FE-ja.
 
ERSAN PAJAZITI