Botë

Kurti për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës: Kosova afër 3 mijë gërmime, Serbia s’ka vullnet

30.08.2024 16:46

Në një ceremoni homazhesh para përmendores së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës...

Në një ceremoni homazhesh para përmendores së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, kryeministri Albin Kurti kritikoi Serbinë për mungesë vullneti në zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve. Kurti theksoi se në Kosovë janë realizuar 2.800 gërmime gjatë 25 viteve të lirisë, ndërsa në Serbi janë identifikuar vetëm 5 varreza masive. Kryeministri kërkoi ndërhyrjen ndërkombëtare për të ndryshuar vendimin për mbylljen e arkivave të “Brigadës 37”, e cila është e njohur si një nga kryerësit kryesor të krimeve në Drenicë dhe më gjerë.
 
“Sivjet janë bërë 20 vjet prej kur në krye të Komisionit për personat e pagjetur në Serbi ndodhet Veljko Odaloviq, i cili ka qenë njeriu kryesor i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë. Merreni me mend, ai që do të duhej të ishte në bankën e të pandehurve, të ketë gjykim të drejtë dhe ndëshkim të merituar, sot udhëheq komisionin për persona të zhdukur në Serbi. Këto ditë janë duke u bërë gërmime vlerësuese në 13 lokacione në Kosovë. Ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i tyre i thellë, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne i kemi borxh që me gjithë dijeninë, mundësitë e aftësitë tona të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pagjeturve.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në Fejsbuk ka shkruar se mbi 1.600 persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, përfshirë shumë fëmijë, vazhdojnë të mbeten plaga më e thellë e vendit. 
 
“Mbi 1.600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës. Synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i së ardhmes sonë. Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin. Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm.”, ka shkruar Osmani. 
 
Edhe ambasadori amerikan, Xhefri Hovenier, në Ditën Ndërkombëtare të personave të zhdukur ka thënë se përsërisin thirrjen për kapërcim të mosmarrëveshjeve dhe punë të përbashkët për zbardhjen e fatit të tyre. 
 
“Ne përsërisim thirrjen tonë për institucionet dhe zyrtarët që të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur rastet e personave të zhdukur.”, ka shkruar ai në X.
 
LEUNORA KALIQI