Botë

Një mjet shpërthyes është hedhur afër ish-komunës paralele në Leposaviq

31.08.2024 19:37

Policia e Kosovës tha se pas mesnatës është hedhur një mjet shpërthyes

Policia e Kosovës tha se pas mesnatës është hedhur një mjet shpërthyes në afërsi të objektit ku më herët gjendej komuna që vepronte sipas sistemit të Serbisë.
 
Në njoftimin e policisë tha se mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë shok-bombë.
 
“Nuk raportohet për lëndime, përderisa hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitet kompetente policore”, tha Policia e Kosovës.
 
Njoftimi për këtë incident në veri vjen një ditë pasi Policia e Kosovës kreu një aksion në katër komunat në veri për mbylljen e pesë komunave serbe, që vepronin sipas sistemit të Serbisë. Bashkimi Evropian tha se është “i zhgënjyer” nga mungesa e vazhdueshme e koordinimit e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe ata të sigurisë.
 
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni i 30 gushtit, i ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri të Kosovës, “vë në rrezik situatën e brishtë të sigurisë në terren”.Lidhur me këtë veprim ka reaguar edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.
 
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndalë, siç tha ai, “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”. Lidhur me aksionin e autoriteteve të Kosovës në veri kanë reaguar edhe ambasadorët e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës të cilët  shprehën shqetësimin dhe zhgënjimin me veprimet e pakoordinuara”.