Basketboll
Bibl League, Prishtina fiton në finalen e parë
22.04.2015 15:38
Prishtina fitoi finalen e parë të Balkan League duke mundur me vetëm 2 pikë Rilski Sport, pas një takimi të luftuar, ku skuadra kosovare përmbysi disavantazhin e periodës së parë...
Prishtina fitoi finalen e parë të Balkan League duke mundur me vetëm 2 pikë Rilski Sport, pas një takimi të luftuar, ku skuadra kosovare përmbysi disavantazhin e periodës së parë, por në fund shpërdoroi një epërsi prej +8 që mund t’i kishte dhënë më shumë siguri për takimin e kthimit në Bullgari.
Bavcic ishte lojtari më i mirë i finales së parë me 23 pikë ndërsa 18 të tjera i shtoi për bardheblutë dhe Dardan Berisha, ndërkohë që nuk pati impaktin që pritej Jordan Hulls, që e mbylli takimin me vetëm 4 pikë. Në krahun tjetër për miqtë spikatën 21 pikët e Rakocevic dhe 20 të Taylorit.
Atmosfera në “Pallatin e Rinsë dhe Sporteve” të Prishtinës ishte fantastike dhe u elektrizua akoma më tepër në momentin kur si një zë i vetëm të gjithë së bashku kënduan “Himnin e Flamurit”
Lojtarët e Prishtinës ndjen presionin në periodën e parë, që në fakt rezultoi vendimtar për fatet e kësaj ndeshje, sepse shifrat e pjesshme të këtij fraksioni 27-21 i dhanë Rilskit një epërsi të konsiderueshme për t’u menaxhuar.
Prishtina u rikthye me një +1 në rezultatin parcial në periodën e dytë, duke u afruar në 38-43 ndërkohë që loja më e mirë e skuadra përfaqësuese të shqiptarëve në Basketboll u shfaq në pjesën e tretë, ku Berisha dhe Bavcic ishin të papërmbajtshëm mbi parket duke ngushtuar në vetëm një pikë diferencën mes dy skuadrave.
Epërsinë Prishtina e mori në pjesën e katërt duke siguruar dhe një +8 në tabelën elektronike për rezultatin 74-66, që bëri të shpërthejë fortë dhe të pranishmit në Pallatin e Sportit.