Botë

Thellohet bilanci i luftës në Gaza, 40,738 numri i palestinezëve të vrarë

01.09.2024 15:35

Rreth 40,738 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza...

Rreth 40,738 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, e cila në njoftimin e saj të përditshëm bën me dije se 94,154 palestinezë të tjerë janë plagosur nga sulmet Izraelite.
 
Gjatë luftimeve në Gaza, ushtria Izraelite gjeti gjashtë trupa të tjerë pengjesh në një tunel në Rafah. Tre ishin në listën për lirim në fazën e parë të marrëveshjes së propozuar. 
 
“Ne kemi njoftuar familjet se trupat e të dashurve të tyre janë gjetur nga forcat izraelite. Trupat e tyre u gjetën gjatë luftimeve në Rafah në një tunel nëntokësor rreth një kilometër nga tuneli nga i cili shpëtuam Farhan Qadi disa ditë më parë. Ata u vranë brutalisht nga Hamasi pak para se të arrijmë tek ata”, u shpreh një zëdhënës i ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
 
Netanyahu: Ai që vret pengjet nuk dëshiron një marrëveshje
 
Grupi i rezistencës palestineze Hamasi ka fajësuar Izraelin për vdekjen e pengjeve. Një zyrtar i Hamasit, Izzat al-Rishq tha se Izraeli nuk ishte i gatshëm të arrinte një marrëveshje dhe për këtë arsye është përgjegjës për vdekjen e pengjeve.
 
Vendi do të dridhet, kërcënuan familjet e të rrëmbyerve dhe paralajmëruan protesta masive, pasi mbrëmë turma e zemëruar u përplas me policinë në Tel Aviv pasi mësoi për vdekjen e pengjeve. Netanyahu është zotuar të mos pushojë derisa të kapen përgjegjësit. Ai pretendon se është Hamasi ai që nuk pranon një marrëveshje armëpushimi.
 
“Nuk do të pushojmë derisa të kapim përgjegjësit për vrasjen e gjashtë pengjeve”. Është e qartë se pengmarrësit nuk duan një marrëveshje. Tre muaj më parë, më 27 maj, Izraeli ra dakord për një marrëveshje, Hamasi refuzoi. Pastaj më 16 gusht – ne ramë dakord për të njëjtën gjë, Hamasi refuzoi përsëri. Dhe këto ditë, ndërsa Izraeli po zhvillon negociata intensive, Hamasi vazhdon të refuzojë me vendosmëri çdo propozim”, theksoi kryeministëri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. 
 
Presidenti amerikan, Joe Biden, është optimist se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti.
 
“Jemi në prag të arritjes së një marrëveshjeje. Është koha për ta hequr dorë dhe për ta mbaruar këtë. Të dyja palët takohen dhe bisedojnë. Të gjithë thanë se ishin dakord me parimet. Kjo është arsyeja pse unë jam optimist”, u shpreh presidenti amerikan, Joe Biden.
 
Në të njëjtën kohë, vaksinimi masiv i fëmijëve kundër poliomielitit filloi në Gaza, me të dyja palët që u zotuan të respektojnë pauzat humanitare tetë-orëshe në armiqësi për të lejuar rifillimin e fushatës. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI