Futboll

Shkëndija-Vardari të premten ora 14:00 në Kumanovë

22.04.2015 15:42

Kumanova megjithatë do të presë derbin Shkëndija-Vardari, që do të luhet të premten në orën 14:00...

Përballja Horizont T.-Shkëndija do të luhet të martën (28.04.2015).
 
Përballja e shtyrë e xhiros së 26-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit do të zhvillohet të premten (24.04.2015) në stadiumin e KF Bashkimit në Kumanovë, me fillim në orën 14:00.
 
Ky është vendimi i marrë pas konsultimeve ndërmjet drejtuesve të Shkëndijës dhe përfaqësuesëve të Federatës së futbollit të Maqedonisë, gjithnjë me rekomandim të Ministrisë për Punë të Brendshme.
 
Kujtojmë se ndeshja në fjalë duhej të luhet të mërkurën (22.04.2015) në Kumanovë, ku Shkëndija do të jetë vendase për shkak të fillimit të punimeve për rikonstruimin e stadiumit të qytetit në Tetovë.
 
Deri te shtyrja e takimit erdhi me rekomandim të MPB-së pas incidenteve që ndodhën në rrethinën e Kumanovës.
 
Ndërkohë, pasi dueli Shkëndija-Vardari luhet të premten, FFM ka vendosur që ndeshjen e xhiros së 17-të me Horizontin në Turnovë skuadra ‘kuqezi’ ta zhvillojë ditën e martë (28.04.2015). kfshkendija.com