Maqedoni

Filloi viti i ri shkollor 2024/25, 245 mijë nxënës iu rikthyen bankave shkollore

02.09.2024 11:16

Për 245 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme....

Për 245 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme fillon sot viti i ri shkollor 2024/25. Viti akademik do të zgjasë deri më 10 qershor për të gjithë nxënësit, me përjashtim të nxënësve të viteve të fundit të arsimit të mesëm, të cilët do të kenë mësim deri më 16 maj. 

Për herë të parë pas shtatë vitesh, viti shkollor nis me dorëzimin në kohë të teksteve shkollore në të gjitha shkollat fillore në vend. Në ditën e parë të shkollës nxënësit do të marrin tekstet e tyre. 
 
Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën me dije se tashmë ka dorëzuar në shkolla 360 mijë kopje të të gjitha teksteve dhe materialeve mësimore të miratuara dhe të shtypura. E vetmja gjë është që për të pestin vit radhazi në arsimin fillor do të mungojnë tekstet e gjuhëve të huaja nga klasa e parë deri në të nëntën, sepse udhëheqja e mëparshme në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës anuloi procedurën për prokurim publik dhe ai vendim është në fazën e ankesës, e cila është ende në vazhdim. 
 
Këtë vit nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nuk do të kenë pushim pranveror. Ky vendim është marrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bazë të një sondazhi të bërë mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve, të cilët në shumicë kanë deklaruar se një pushim i tillë nuk është i nevojshëm. 
 
Sipas të dhënave të MASh-it, numri i nxënësve është ulur me 17 mijë në shtatë vitet e fundit. Në të njëjtën periudhë numri i nxënësve të klasës së parë është ulur me rreth 3.500 mijë.