Izraeli sulmon një shkollë në Rripin e Gazës
Të paktën 11 persona u vranë gjatë një sulmi ajror izraelit në një shkollë ku strehoheshin palestinezët e zhvendosur në Gazë....

Të paktën 11 persona u vranë gjatë një sulmi ajror izraelit në një shkollë ku strehoheshin palestinezët e zhvendosur në Gazë. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët shëndetësorë. Sulmi kishte në shënjestër "një dhomë të përdorur nga policia".
Ushtria izraelite thotë se shënjestroi "terroristët e Hamasit që vepronin nga një qendër kontrolli në një zonë që dikur ishte shkolla Safed". Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori në vitin 2023 e deri më tani, numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 40.700, ndërsa numri i të plagosurve në 93.800.
Bllokada e vazhdueshme e Rripit të Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa sulmet izraelite kanë lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha. Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj.
