Maqedoni

Çerdhet në Tetovë, vendime pune për vullnetarët dhe honoraristët

22.04.2015 15:54

29 vullnetarë dhe honoraristë në çerdhet Komunës së Tetovës morën vendimin për transferimin e marrëdhënies së tyre të punës...

10 vendimet e para u dhanë sot në Çerdhen për Fëmijë “Mladost”, ndërsa, sipas ligjit, pjesa tjetër e tyre do të marrin vendimin përfundimtar për punë në tre etapa, varësisht nga vitet e kaluara si punëtorë honorarë. 
 
“Normalisht është një kënaqësi e veçantë, një ditë e veçantë, që arritëm deri në fazën që të fitojmë si institucione lokale, d.m.th. si çerdhe të Tetovës, 29 vendime pune 29-të të angazhuara në çerdhet e Tetovës për mbi se 10 vjet me kontrata apo pa vendime të punës në kohë të papërcaktuar. …Ne do mbetemi të angazhuar, për të rritur kapacitet e çerdheve tona, për të fituar sa më tepër projekte dhe për të rregulluar sa më mirë që mundemi statusin e të gjithë atyre që janë të angazhuar këtu”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
“Arritëm që të marrim 29 pëlqime për punëtorët që vite me radhë punojnë në institucionin tonë si vullnetarë. Me këtë dëshmojmë se edhe një herë shkojmë nga ajo që të përmirësojmë kushtet për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve në kopshtin tonë”- tha drejtoresha e Kopshtit të Fëmijëve “Mladost”-Tetovë, Ramije Dauti.
 
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, dhe drejtoresha, Ramije Dauti, vlerësuan punën e punëtorëve dhe durimin që e kanë treguar deri tani.
 
Të punësuarit e tjerë do të marrin në dorë vendimin për marrëdhënie të përhershme pune në dy fazat e tjera të zbatimit të Ligjit për Transferim të Marrëdhënieve të Punës.
 
Grupi i fundit merr vendime te përhershme në shtator të vitit 2016.
 
VISAR SADIKI