Rusia sulmon Kievin me raketa balistike

02.09.2024 11:56

Rusia ka kryer sulme me dronë, me raketa lundruese dhe balistike ndaj Kievit....

Rusia ka kryer sulme me dronë, me raketa lundruese dhe balistike ndaj Kievit. Të paktën dy persona janë plagosur, ndërkaq zjarri, që u shkaktua nga rënia e copëzave të raketave, ka dëmtuar shtëpi dhe infrastrukturë.

Për rreth dy orë, në mbarë Ukrainën u lëshuan alarmet për sulme ajrore, ndërkaq më pas autoritetet thanë se qielli i Ukrainës ishte e sigurt. Polonia fqinje, shtet anëtar i NATO-s, ngriti në ajër avionët e saj dhe të aleatëve për të mbajtur të sigurt hapësirën e saj ajrore gjatë këtyre sulmeve.
 
Ndërkaq, në Harkiv në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, dy dronë goditën një ndërtesë banimi dhe një shkollë, raportuan mediat ukrainase. Nga këto sulme nuk është raportuar për viktima. Sulmet vijnë një ditë pasi ushtria e Rusisë tha se ka shkatërruar 158 dronë të Ukrainës, që ishin lëshuar drejt rajoneve ruse. Ky është cilësuar si një prej sulmeve më të mëdha të kryera nga Ukraina, që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.