Maqedoni
Kërkesa për interpelancë për Afrim Gashin, Mickoski: VMRO-DPMNE nuk do ta përkrahë
02.09.2024 14:19
Interpelanca për punën e kryeparlamentarit, Afrim Gashi...

Interpelanca për punën e kryeparlamentarit, Afrim Gashi, që u dorëzua nga grupi parlamentar i partisë “E Majta”, në fillim të gushtit, të martën do të jetë para të zgjedhurve të popullit. Për kryeministrin, Hristijan Mickoski, propozimi për interpelancë për Gashin “është sjellje e papjekur dhe budallallëk i koalicionit LSDM, BDI dhe “Së Majtës” dhe të njëjtën nuk do ta përkrahin. Ai thotë se absolutisht nuk ka bazë për interpelancë të kryeparlamentarit Gashi dhe shton se për këtë kanë një sërë argumentesh.
“Qëndrimi ynë si VMRO-DPMNE është i qartë se kjo kërkesë është sjellje e papjekur, do të thosha marrëzi e LSDM-së, BDI-së dhe “Së Majtës”. Nuk ka absolutisht asnjë bazë për interpelancë të kryeparlamentarit Gashi dhe nuk do ta mbështesim iniciativën e tillë. Kemi një sërë argumentesh se përse nuk do ta mbështesim interpelancën. Sepse dallimi në lidershipin e Maqedonisë në mes të kësaj Qeverie dhe asaj të LSDM-së dhe BDI-së është i madh, shpresa se do të kemi sukses ndihet në të gjithë vendin.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Filipçe: Të gjithë duhet ta përkrahin
LSDM-ja opozitare do të zhvillojë debat brendapartiak për të ndërtuar një qëndrim, ndërsa kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tregon se qëndrimi i tij personal është votimi për shkarkimin e Gashit, pasi sipas tij, Gashi deri tani ka bërë disa shkelje.
“Qëndrimi im personal është të mbështes interpelancën, sepse shumë shkelje janë bërë. Ne njoftuam opinion për ato çështje, por edhe institucionet dolën dhe konstatuan shkeljen e disa rregullave të sjelljes së funksionarëve dhe atë qëndrim do ta mbroj në parti. Megjithatë, LSDM-ja do ta marrë vendimin. Ndërsa ky është qëndrimi im që do ta mbroj para partisë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Një ditë para interpelancës ndaj Gashit, drejtuesit e koalicionit qeverisës VLEN janë mbledhur tek kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. “Biseduam për aktualitetin politik, e ritheksuam përkushtimin tonë për përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve dhe nevojën për vazhdimësinë e këtij koalicioni shpresëdhënës e frytdhënës për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe për vendin në përgjithësi.”, ka shkruar Gashi. Nga ky koalicion interpelancën ndaj kryetarit të Kuvendit e cilësojnë si një eksperiment politik të pakuptimtë dhe një përpjekje për destabilizim.
SANIJE DURAKU
