Maqedoni

Ligji i gjuhëve, Mickoski: Vendimi i kushtetueses duhet respektuar

02.09.2024 14:41

Shqyrtimi i Ligjit të gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese duhet respektuar, konsideron kryeministri, Hristijan Mickoski...

Shqyrtimi i Ligjit të gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese duhet respektuar, konsideron kryeministri, Hristijan Mickoski, pas reagimeve të partive shqiptare kundër iniciativës për të kontestuar dygjuhësinë në vend. Sipas kryeministrit, pavarësisht nëse do të na pëlqente apo jo epilogu, Gjykata Kushtetuese është gjykata më e lartë dhe duhet respektuar. Mickoski thotë se pas vendimit të Kushtetueses do t’i përcaktojnë veprimet politike.
 
“Gjykata Kushtetuese është niveli më i lartë gjyqësor në shtet dhe nuk mund të besoj se ekzistojnë qytetarë në Maqedoni ose aktorë politik, të cilët e konsiderojnë veten përgjegjës, të mos respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ta lëmë anash politikën dhe të shohim se çfarë vendimi do të sjellë Gjykata Kushtetuese. Kjo nuk është anarki, ne nuk mund të sillemi sikurse jemi në anarki. Kushedi sa mund të mos na pëlqej, do të duhet të presim vendimin dhe atëherë të marrim vendime.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse do të shfuqizojë ose do ta lë në fuqi Ligjin e gjuhëve. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka deklaruar se vendimi mbi lëndën e formuar nga viti 2019 do të jetë i argumentuar juridikisht. Reagimet e partive shqiptare ishin të ashpra. Koalicioni VLEN, pjesë e Qeverisë, e shikon nismën e partisë “E Majta” për mohimin e dygjuhësisë si një tentim për grushtshtet, hapje të “Kutisë së Pandorës“ dhe rrezikim të një sërë procesesh të arritura në vend. Ndërkaq, “Fronti Evropian” në opozitë ka kërkuar të mos preket gjuha shqipe pasi në këtë formë shteti vetëm se kthehet mbrapa, në periudhën e para Marrëveshjes së Ohrit me skenarë për destabilizim.
 
MERAL ISMAILI