Maqedoni
Analistët: konkluzat e këshillit të merren seriozisht, Maksuti dhe Bilalli kundër komisioneve anketuese
22.04.2015 15:57
BE, edhe një herë dëshmoi shqetësimin që ndan për gjendjen politike në Maqedoni, por jo vetëm kaq, ajo sugjeron kahje për tejkalimin e krizës, thonë analistët politik...

Profesorët universitar, Mersim Maksuti dhe Mirsel Billali, ndajnë të njëjtin qëndrim se kriza kërkon zgjidhje politike dhe juridike, mirëpo ata dyshojnë se kriza politike mund të zgjidhet me kthimin e opozitës në kuvend dhe përmes ndonjë komisioni anketues.
Sipas tyre, përvoja e deritanishme ka dëshmuar se komisionet anketuese në kuvend vazhdimisht kanë dështuar.
“Jo opozita të kthehet në parlament. Të shkohet drejtpërdrejt në formimin e qeverisë teknike apo të ekspertëve, për arsye se kthimi i opozitës në parlament, duke marrë për bazë praktikat e deritashme të funksionimit të parlamentit dhe të zgjidhjeve politike që i kemi pasur më herët, do të zvarrisin edhe më tej krizën politike”- deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.
“Mendohet në një komision anketues, por që në fakt ato komisione tanimë janë të tejkaluara, pasi pesha e problematikës, dukshëm i tejkalon mundësitë e zgjidhjes së problemeve përmes komisioneve anketuese, të cilët edhe ashtu në të kaluarën nuk janë treguar efikas”- tha profesori universitar, Mersel Bilalli.
Bilalli dhe Maksuti vlerësojnë këmbënguljen e Këshillit të Ministrave për përgjegjësi penale për zyrtarët e përfshirë në krim dhe korrupsion, e cila duhet të ndodhë përmes një procesi gjyqësor të pavarur dhe transparent, duke ruajtur parimin e prezumimit të pafajësisë. Sipas Maksutit, kjo duhet të ndodhë pas tejkalimit të krizës politike, përkatësisht pas zgjedhjeve.
“Pas zgjidhjes politike, e gjithë kjo situatë e krijuar do të bart edhe përgjegjësit juridik, që d.m.th. se aktorët e involvuar që janë përfshirë në krim, korrupsion dhe gjithandej, patjetër se duhet të dalin para drejtësisë”- tha profesori universitar, Mersim Maksuti.
Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi konkluzione serioze për situatën politike në vend. BE-ja u bëri thirrje palëve të rikthejnë dialogun politik dhe besimin në institucione.
“Këshilli kërkon nga institucionet kompetente hetimin e të gjitha pretendimeve për keqpërdorime të mundshme të bëra publike, në mënyrë adekuate, në përputhje me parimin e pavarësisë dhe prezumimit të pafajësisë”- theksohet ndër të tjera në konkluzionet e Këshillit të BE-së.
Konkluzat e Brukselit janë në harmoni me kërkesat e Uashingtonit zyrtar, i cili pak ditë më parë, përmes zëvendësndihmëssekretarit për Evropë dhe Azi, Hojt Ji, kërkoi tejkalimin e krizës politike dhe hetim të plotë të keqpërdorimeve të mundshme të qeverisë.
SHPËTIM NUREDINI
