Botë

Shqipëri, lirim me kusht për Belerin

02.09.2024 14:59

Pas afro 16 muaj në qeli, Fredi Beleri ka fituar lirinë...

Pas afro 16 muaj në qeli, Fredi Beleri ka fituar lirinë. Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e avokatit, pas tri seancash të dështuara, ku Beleri kërkonte lirimin me kusht, me argumentin se ka kryer dy të tretat e dënimit (2/3). Avokati i Belerit pasi përgëzoi gjykatën nuk kurseu ironinë për kryeministrin.
 
“E pranoi kërkesën gjykata, urdhëroi lirimin para kohe, i mbeteshin  edhe 6 javë, respekt për gjykatën, lirimi para kohe me kusht.”, - u shpreh avokati, Eugen Gjyzari.
 
“Pronari që i ka çelësat e burgut dha leje pas zgjedhjeve që të dalë.”, - tha avokati i Belerit, Genci Gjyzari.
 
Vetë Beleri tha se kohën do ta ndajë mes Himarës e Athinës, për llogari të së cilës është zgjedhur edhe eurodeputet.
 
Beleri, që tashmë mban mandatin e eurodeputetit, u dënua me vendim të formës së prerë me 2 vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Ish-kandidati i koalicionit “Bashke fitojmë” u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit të vitit 2023, pasi u kap në flagrancë duke blerë vota. Beleri u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi u konfirmua në Apel.
 
Seanca e sotme për lirimin me kusht u ndoq nga mediat greke, të cilat nga Fieri raportuan se eurodeputeti i tyre do t’i kryejë lirisht detyrat në Parlamentin Evropian.
 
LULJETA NDOKA