Maqedoni

Filloi viti i ri shkollor, rreth 3.500 filloristë më pak

02.09.2024 15:33

Pas pushimit tremujor, shkollave fillore dhe të mesme të vendit iu kthye gjallëria, pasi sot filloi viti i ri shkollor....

Pas pushimit tremujor, shkollave fillore dhe të mesme të vendit iu kthye gjallëria, pasi sot filloi viti i ri shkollor. Në bankat shkollore u ulën 245 mijë nxënës, të cilët edhe këtë vit do të përballen me problemin e mungesës së librave, por edhe probleme tjera të cilat pritet t’i zgjidhin Ministria e Arsimit dhe pushteti lokal. Shqetësues mbetet ulja e numrit të filloristëve, i cili në krahasim me vitin e kaluar, është ulur për 3 mijë e 500 nxënës.
 
Nxënësit, e sidomos ata që filluan mësimin në klasën e parë, shprehen të lumtur për fillimin e vitit shkollor.
 
“Quhem Hëna, kam blerë abetare, jam klasa e parë dhe shumë jam gëzuar.”, - tha një nxënëse.
 
“Jam klasa e parë, jam gëzuar që po fillon viti shkollor, kam blerë çantë, fletore, libra.”, - tha një nxënës tjetër. 
 
“Jam klasa e parë, po gëzohem që fillon viti shkollor.”, - u shpreh një nxënës. 
 
“Klasa e parë, jam e gëzuar që filloi viti shkollor.”, - u shpreh një nxënës tjetër. 
 
“E para, po gëzohem për vitin shkollor.”, - tha një nxënëse. 
 
“E para, kam blerë lapsa, libra, fletore, gomë.”, - tha një nxënës.
 
“E para, po gëzohem që fillon shkolla.”, - tha një nxënës tjetër. 
 
“Jam klasa e dytë, jam i lumtur që filloi viti shkollor.”, - u shpreh një nxënëse. 
 
“Jam klasa e katërt, kam blerë mjetet shkollore.”, - u shpreh një nxënës tjetër. 
 
“Jam klasa e 7-të, librat jemi duke i marrë tani.”, - tha një nxënës. 
 
Të lumtur për fillimin e vitit shkollor janë edhe prindërit, të cilët megjithatë thonë se fillimviti e rëndon sadopak buxhetin familjar. 
 
“Kam vetëm një vajzë, fillon në klasë të parë. Ata që kanë më shumë fëmijë mendoj se shpenzimet janë shumë më të mëdha dhe nuk e di sa munden të përshtaten, sa janë të adaptueshme.”, - tha një prind.
 
“Po, fëmijën e kemi sjellë këtu, tash e kemi Jonën që fillon në klasë të parë, i kemi edhe fëmijët tjerë që vijojnë mësimin në shkollën “Hasan Prishtina”. Është Dreni klasa e 6 dhe Bora fillon klasa e tretë. Shpenzimet e shtatorit janë shpenzime për fëmijët, d.m.th. duhet planifikuar çdo send, kështu që me një planifikim të duhur besojmë i dilet.”, - u shpreh një prind.
 
Drejtuesit e shkollave dhe arsimtarët thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
  
“Jemi përgatitur dhe jemi të gatshëm të fillojmë vitin shkollor, të gjithëve ju dëshirojmë sukses dhe shumë fat në rrugëtimin e tyre. Kryesisht jemi pajisur, siç e dini mungojnë vetëm librat e gjuhëve të huaja, gjuha frënge, gjermane dhe angleze.”, - deklaroi drejtoresha e Sh.F. “Hasan Prishtina”, Esma Fazlija.
 
“Jemi përgatitur edhe ne si mësimdhënës, edhe shkollën e kemi përgatitur, e kemi përgatitur ambientin për mësimdhënie, tani i mirëpresim nxënësit, për fillim të mbarë edhe për ne edhe për ata.”, - theksoi mësuese e gjuhës angleze, Sara Demiri.
 
Mësimdhënësi i pensionuar, i cili kishte sjellë nipin në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina”, ku ai dikur kishte punuar, thotë se me kalimin e kohës, edhe arsimi ka pësuar ndryshime të theksuara. Ai thekson sidomos nevojën e motivimit të nxënësve për mësim. Po ashtu e vlerëson të mjerueshme gjendjen me librat shkollorë. 
 
“Nxënësit nuk kanë shpërblim për mësimet që i mësojnë. Më parë kishim nota numerike, nxënësit shpërbleheshin me pesa dhe kur shkonin në shtëpi u tregonin prindërve dhe familjarëve, të gjithë ju dhuronin diçka. Sot nuk kanë motiv me çka t’i nxisin nxënësit që t’i punojnë detyrat e shtëpisë. Situata është mjerim për librat. Unë para 6 vitesh kam dalë në pension, librat janë katastrofë të vjetra. MASh-i thotë se do t’i përgatisë të reja për çdo vit, sidomos librat e mjedisit jetësor, shumë ka gabime në libra dhe shumë mungojnë librat.”, - u shpreh arsimtari i pensionuar, Refet Loku.
 
Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, për TVM2 thotë se si ministri janë angazhuar maksimalisht për të përmbushur kushtet e nevojshme për një fillim të mbarë të vitit shkollor, përfshirë furnizimin me tekstet shkollore. 
 
“Për këtë vit shkollor mund të them se jam i kënaqur dhe i lumtur se kemi siguruar tekste për çdo lëndë. Kur flasim për gjuhët e huaja, është te bashkësitë tjera etnike mësimi i gjuhës së dytë. Të mos krijohet huti se mungon teksti për gjuhët amtare. Për nxënësit maqedonas, maqedonishtja, për shqiptarët e kanë gjuhën shqipe, për boshnjakët gjuhën boshnjake ose për turqit gjuhën turke. Por, për ata që mund ta kenë gjuhën frënge, gjermane ose ndonjë gjuhë tjetër, për shkak të procedurave dhe ligjit ekzistues, për tekstet shkollore, kjo ka bërë që të kemi vonesë edhe pse së shpejti do t’i kenë dhe ato tekste.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
 
Me rastin e fillimit të vitit shkollor, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka qëndruar në Shkollën Fillore “Liria” në Çair të Shkupit, ku ka ndarë Abetaren e unifikuar për nxënësit shqiptarë. 
 
FITORE DEMOLLI