Gazetarët në protestë para qeverisë, kërkohet mbrojtje ndaj dhunës kundër gazetarëve

22.04.2015 16:01

Gazetarë dhe qytetarë protestuan para qeverisë në përkrahje të gazetarit, Borjan Jovanovski, të cilit dje në shtëpi i erdhi një kurorë funeral, akt ky që tronditi thellë jo vetëm familjen, por edhe gazetarët e tjerë që në këtë veprim shohin tentim për mbylljen e gojës së gazetarëve...

Të njëjtën kurorë sot gazetarët protestues e dorëzuan para qeverisë. Motra e Borjan Jovanovskit, gazetarja, Svetllana Jovanovksa, theksoi se familja ka qenë e tronditur nga ky akt. 

“Na ka tronditur pasi që në shtëpi ishin edhe fëmijët e Borjanit, të cilët u drodhën nga frika, nuk dinin se si të reagonin, ndërsa ne nuk dinim t’u sqarojmë se çfarë po ndodhë. Për mua, nuk është e qartë se pse dikush duhet të kërcënon dhe nuk mundet që përmes dialogut të merremi vesh se si gazetarët duhet të punojnë. Shpresoj që këtë kërcënime me vdekje të ndërpriten”- deklaroi gazetarja, Svetlana Jovanovska.

Gazetarja, Biljana Sekullovka, kërkoi mbrojtjen e gazetarit, Borjan Jovanovski, nga ana e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ne kërkojmë mbrojtje nga ana e policisë për kolegun tonë, Borjan Jovanovskin. Nëse nuk e plotësojnë këtë kërkesë, atëherë gazetarët do të llogarisin se ky akt është bërë në bashkëpunim me qeverinë”- tha gazetarja, Biljana Sekullovska.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë vlerëson se ngjarja e djeshme është pasojë e përhapjes së gjuhës së urrejtjes në media, të nxitura me sjelljen e partive politike në Maqedoni. ShGM-ja thotë se deri tani asnjë incident ku gazetarët kanë qenë objekt i dhunës, pengimit të punës, kërcënimeve verbale, gjuhës së urrejtjes dhe presioneve nuk ka marrë epilog gjyqësor. “Kjo sjellje e papërgjegjshme e institucioneve nxit dhunuesit të vazhdojnë me kërcënimet ndaj gazetarëve”- thuhet në reagimin e ShGM-së. (Ersan Pajaziti, TVM2)