Botë

Stano: Dialogu Kosovë – Serbi, prioritet i BE-së

02.09.2024 16:53

Bashkimi Evropian e konsideron prioritet organizimin e raundit të ri të dialogut Kosovë-Serbi...

Bashkimi Evropian e konsideron prioritet organizimin e raundit të ri të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, pa dhënë ndonjë datë për një takim të mundshëm. 
 
“Si zakonisht, takimet i paralajmërojmë kur të jetë e përshtatshme. Takimet në nivel të kryenegociatorëve nuk i paralajmërojmë zakonisht për media. Por, pa dyshim, qëllimi ynë është që sa më parë të kemi takim në nivel kryenegociatorësh, sepse ka një varg çështjesh për të diskutuar.”, ka deklaruar Stano.  
 
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, një ditë më parë ka deklaruar se do të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur raundin e ri të dialogut, duke mos dhënë më shumë detaje. I pyetur lidhur me mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në Kosovë, javën e kaluar, Stanoja tha se këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, me potencial të rritjes së tensioneve. Por, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se institucionet e mbyllura paralele në veri të Kosovës punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
 
GYLTENE SINANI