Maqedoni
Dita e Tokës, veprime të gjelbra në mbrojtje të planetit
22.04.2015 16:09
Sot, planeti Tokë shënon ditën e tij, në një kohë kur ndotja e ajrit dhe ngrohja globale janë problem mbarëbotëror...

Për të mbrojtur planetin ku ne jetojmë, duhen aktivitete të koordinuara, duke filluar nga më të thjeshtat, siç është mbjellja e një peme e deri tek ruajtja e pyjeve të shiut.
Ditës së planetit iu bashkëngjitën sot me aktivitete edhe shkollat fillore të Çairit, të cilat bashkë me Këshillin e të Rinjve pranë Ambasadës së SHBA-ve në Shkup dhe krerët e komunës, pastruan ambientet rreth shkollave dhe mbollën fidanë të rinj.
“Ky është viti i tretë radhazi që e organizojmë këtë aktivitet. Gjetëm përkrahje të madhe nga Komuna e Çairit për ta realizuar projektin në kuadër të shkollave në Komunën e Çairit”- deklaroi pjesëmarrësi nga Këshilli i të Rinjve të Ambasadës së Amerikës, Krenar Qoku.
“Kemi ne edhe projekte të ndryshme të cilat janë të lidhura me programet ekologjike dhe punojmë në çdo mënyrë që mundemi që të ruajmë, të mbrojmë ambientin jetësor”- tha drejtori i Shkollës Fillore “Ismail Qemajli”, Kadri Agushi.
“Ne mendojmë si Komunë e Çairit që këtë projekt, të cilin e vlerësojmë në këtë stinë të pranverës, ta zhvillojmë me forca vetanake, d.m.th. tek të gjitha shkollat e tjera të Çairit”- theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Është një ngjarje e rëndësishme, por jo vetëm për sot, si dita botërore, por si çdo ditë, sepse nuk është vetëm për publikun dhe gazetarët, është diçka që kemi nevojë ta bëjmë çdo ditë”- u shpreh Kejtllin Tur nga Këshilli i të Rinjve.
Aksioni do të vijojë edhe në 7 shkolla tjera, po ashtu edhe në 7 çerdhe të Çairit, por edhe në institucionet tjera publike.
Por, drejtuesit e Çairit thonë se asnjë aksion nuk mund të ketë sukses pa qytetarët, ndaj bëjnë apel që të gjithë të kujdesen çdo ditë për ambientin që i rrethon.
VLORA LATIFI-TOPOJNI
