Maqedoni
Gushinca, e pakapshme për mediat, forcat policore nuk i lejojnë gazetarët në fshat
22.04.2015 16:31
Fshati Gushincë vazhdon të jetë “zonë e ndaluar” për ekipet televizive. Pas sulmit të stacionit policor gjatë së martës në këtë fshat, forcat policore nuk lejojnë kalimin e ekipeve të gazetarëve...

Postblloku policor është vendosur tek penda e Gllazhdës, rreth 20 kilometra larg këtij fshati, dhe policët i kthejnë pas ekipet e xhirimit me arsyetimin se kanë urdhër të mos lejojnë askënd brenda fshatit.
Nuk ka informata edhe nga vetë banorët e Gushincës se si është gjendja atje.
Banorët e fshatrave përreth që i takuam në afërsi të punktit policor vazhdojnë të bëjnë punët e përditshme.
Ata thonë se situata në këtë zonë është e qetë.
“Asgjë nuk ka pasur mbrëmë. Jo, s’kam parë asgjë edhe sot, ne tani jemi duke shkuar në fshat dhe asgjë s’ka”- u shpreh një banor.
MPB-ja doli me qëndrim se Stacioni Policor në Gushincë është sulmuar mëngjesin e së martës nga 40 pjesëtarë të armatosur të UÇK-së, që kanë hyrë nga Kosova, madje e quajti këtë incident si “Akt terrorist”.
Por, banorët dhe autoritetet lokale shprehen të habitur nga këto pohime, pasi në këtë zonë asnjëherë nuk janë vërejtur njerëz të uniformuar. Edhe autoritetet kosovare dje hodhën poshtë pohimet e MPB-së se incidenti ka ndodhur nga një grup i ardhur nga Kosova.
Sipas tyre, kufitarët kosovarë nuk kanë vërejtur lëvizje të dyshimta njerëzish në asnjë nga zonat kufitare me Maqedoninë.
REXHEP QAMILI
