Të punësuarit e AShAM-it në grevë, kërkojnë rritjen e pagave

03.09.2024 13:55

Tridhjetë e gjashtë të punësuar në shërbimin teknik...

Tridhjetë e gjashtë të punësuar në shërbimin teknik në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë kanë hyrë në grevë për herë të dytë dhe kërkojnë rritjen e pagave. Të punësuarit në AShAM, grevën e parë e filluan më 9 shkurt të vitit 2023 dhe zgjati vetëm një muaj, për shkak se u premtuan ndryshime ligjore.

Nga Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësit nuk është përmbushur asgjë.

Prandaj greva është riaktivizuar dhe do të zgjasë deri në rritjen e pagave të punonjësve.

Kryetari i Sindikatës së të punësuarve në Administratë dhe Gjyqësor, Tërpe Dejanovski, tha se akademikët e AShAM-it i kërcënojnë dhe frikësojnë të punësuarit se do t’i largojnë nga puna nëse nuk e ndërpresin grevën.

“Çdonjëri që do të ushtrojë presion dhe do të kërcënohet, do të publikohet me emër dhe mbiemër pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë dhe çfarë funksioni kryen në AShAM. Do ta përmendi udhëheqësinë e AShAM-it, se në marrëveshjen e cila është nënshkruar me Sindikatën, premtoi se deri më 31 dhjetor të vitit 2023, do të nënshkruhet marrëveshja kolektive dhe do të bëhen ndryshime plotësuese të ligjit, që përfundimisht të zgjidhet problemi. Nga data 31 dhjetor të vitit 2023 kanë kaluar nëntë muaj dhe të punësuarit nuk kanë marrë gjë tjetër veç sharje, kërcënime dhe fyerje.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së të Punësuarve në Administratë dhe Gjyqësor, Tërpe Dejanovski.

“Të sillet ligji për pagat që është për AShAM-in ose të bëhet marrëveshje kolektive apo në çfarëdo mënyre tjetër të zgjidhet problemi ynë me kalimet e vogla financiare në raport me të gjitha shkencat tjera, institucionet në shtet.”, - thonë nga AShAM-i.

Të punësuarit në AShAM thonë se punojnë me pagë minimale dhe e njëjta nuk është rritur për një kohë të gjatë.

Pagat e ulëta janë shkak që pas çdo shpallje zyrtare në gazetë, nuk paraqitet asnjë kandidat për punë, thonë grevistët.

Të punësuarit e AShAM-it do të jenë në grevë gjatë gjithë orarit të punës, do të punojë vetëm arkivi për pranimin e postës, ndërsa punëtorët e tjerë do të jenë në grevë dhe nuk do të kryejnë asnjë detyrë pune. Greva do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesës së tyre. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)