Turqi, u arrestua kosovari bashkëpunëtor i Mossad-it

03.09.2024 14:44

Policia turke ka arrestuar një shtetas të Kosovës....

Policia turke ka arrestuar një shtetas të Kosovës, i cili dyshohet se ka transferuar para tek operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës Mosad në Turqi.

Për arrestimin janë njoftuar zyrtarisht edhe autoritetet e Kosovës, ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë. I arrestuari në Stamboll është identifikuar si Liridon Rexhepi nga Kosova.

Ai kishte hyrë në Turqi më 25 gusht, u ndalua të premten e kaluar dhe të martën zyrtarisht u arrestua, njoftojnë mediat turke. Rexhepi, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar se ka bërë transferime të parave.

Agjencia turke e inteligjencës dyshon se Rexhepi ka lehtësuar transferet financiare nga shtetet e Evropës Lindore, kryesisht nga Kosova, për tek agjentët e Mosadit në Turqi.

Paratë e transferuara nga Rexhepi raportohet të jenë përdorur për mbledhje të informacioneve në Siri, për kryerjen e operacioneve psikologjike kundër palestinezëve dhe koordinimin e operacioneve që lidhen me dronët.

Dyshohet se paratë u shpërndanë tek operativët në terren, të cilët në këmbim, i dërguan këto para tek asetet në Siri, shpesh duke përdorur kriptovaluta për t'i realizuar këto transfere.

Që nga janari, autoritetet turke kanë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe hetues privatë, nën akuzat se kanë mbledhur të dhëna për individë, kryesisht për palestinezë që jetojnë në Turqi dhe ato të dhëna ia kanë dërguar inteligjencës izraelite. Izraeli nuk i ka komentuar arrestimet e bëra në Turqi. (Gyltene Sinani, TVM2)