Kuvend, interpelancë për kryeparlamentarin, Gashi

03.09.2024 15:05

Përplasje argumentesh midis deputetëve...

Përplasje argumentesh midis deputetëve sa i takon punës së  kryeparlamentarit Afrim Gashi. Nga “E Majta” e Apasievit, të cilët ngritën nismën e përmbledhur në shtatë pikë, e cilësuan Gashin si shkelës të parimit të sekularizmit pasi ndëshkuan gjenocidin në Srebrenicë në Kuvend, ndërhyrje në kompetencat e sigurisë në aeroportin e Shkupit, shpërdorimin e gjuhës maqedonase me ardhjen në detyrë, shkelje të rregullores, si dhe vërejtje për përdorimin e flamurit të NATO-s.

“Shteti në përputhje me çështjet fetare do të duhet të mbajë neutralitetin dhe nuk guxon të ndërhyjë në çështjet e ndjeshme fetare ose të kërkojë zbatim të aktiviteteve fetare dhe pikërisht ju këtë e bëtë. Kërkuat zbatim të aktiviteteve fetare në shtëpinë ligjvënëse, që është kundërkushtetuese.”, - deklaroi deputeti i “Së Majtës”, Dimitar Apasiev.

Kryeparlamentari Afrim Gashi shfajësoi veten nga të gjitha akuzat dhe tha se interpelanca e “Së Majtës” është antishqiptare, antiislame, pro prishjes së marrëdhënieve me Kosovën.

“Kjo nuk është interpelancë ndaj Afrim Gashit, por është interpelancë ndaj përkatësisë etnike dhe fetare të kryetarit të Kuvendit. Kjo nuk është interpelancë ndaj tejkalimit të autorizimeve të kryetarit të Kuvendit në aspektin e sigurisë, por është interpelancë ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe angazhim për tërheqjen e njohjes së Republikës së Kosovës. Kjo nuk është interpelancë ndaj gjoja shkeljes së ligjit për gjuhët, por është interpelancë që shpreh frustrim dhe fobi ndaj gjuhës shqipe dhe përkatësisë etnike të kryetarit të Kuvendit.”, - theksoi kryeparlamentari, Afrim Gashi.

LSDM-ja pro interpelancës, duke akuzuar VMRO – DPMNE-në për heshtje ndaj, siç thonë skandaleve të Gashit, duke kthyer mos dënimin sikur në vitin 2016-të. Nuk munguan reagimet e pushtetit.

“Njëjtë sikur në kohën e regjimit të Gruevskit dhe Mijallkovit, MPB-ja u përpoq ta anashkalojë rastin në aeroport. Heshtën dhe lajmin e botuan mediat dhe pastaj në mesnatë MPB-ja doli me gjysmë informate për rastin.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Mile Talevski.

“LSDM-ja gjithmonë është shprehur se është parti pa paragjykime, por fjalimi ishte më i ashpër se i Apasievit. A po del në shesh një koalicion ultra majtist, do ta shohim.”, - deklaroi deputeti i VLEN-it, Halil Snopçe.

“Është qesharake dhe budallallëk, zotëri Talevski, të mbështesni një interpelancë të tillë, pa e përmendur zotëri Afrim Gashin asnjëherë në fjalimin tuaj, ndërkaq VMRO-në, Mickoskin dhe Pançe Toshkovskin nuk i hoqët nga goja.”, - theksoi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Brane Petrushevski.

“Fronti Evropian” kundërshton interpelancën, por megjithatë shpalosën vërejtjet për punën e deritanishme.

“Në kontinuitet nuk respektohen procedurat e vendosura me rregulloren e punës së Parlamentit. Nga 12 seanca të thirrura nga vet kryetari i Kuvendit, 10 seanca janë në kundërshtim me përcaktimet e rregullores, përjashtuar seancën e gjashtë e cila ka të bëjë me rastin e vdekjes së ish-kryetarit të Kuvendit.”, - theksoi deputeti i “Frontit Evropian”, Talat Xhaferi.

Interpelanca duhet të mbyllet deri në mesnatë. Kryeparlamentari pas fjalimit të tij u tërhoq nga seanca duke iu lënë hapësirë deputetëve të debatojnë dhe të marrin vendim pa kurrfarë trysnie, edhe pse numrat janë në favor të tij. (Meral Ismaili, TVM2)