Maqedoni
Incidenti në Gushincë, Selmani: “akti terrorist” kërkon hetime të thella
22.04.2015 16:34
Ekspertët e jurisprudencës së terrorizmit janë të befasuar nga etiketimi “vepër terroriste” që MPB-ja bëri dje për sulmin, që, sipas saj, ka ndodhur në Gushincë...

Profesori universitar, Bashkim Selmani, thotë se për të përkufizuar një incident “vepër terroriste” nevojitet hetim i thellë, i cili nuk mund të kryhet me shpejtësinë me të cilën MPB-ja përgatiti raportin që e publikoi para qytetarëve.
Për Selmanin, rasti i djeshëm është vetëm mjet për defokusimin e vëmendjes së opinionit nga ngjarjet reale. Por, ajo që shqetëson, sipas Selmanit, është fakti që si në të kaluarën ashtu edhe tani territoret shqiptare përzgjidhen për të inskenuar një skenar të caktuar.
“Neve si shqiptarë na prek këtu që kur dy persona grinden mes vete, në këtë rast pozitë-opozitë, pse duhet të zgjedhin territoret shqiptare. Dhe në këtë rast, më pak që kanë qenë të prekur gjatë gjithë kësaj politike të keqe në Maqedoni, gjithmonë shqiptarët kanë qenë të viktimizuar. Dhe tani përsëri të rizgjidhet ky vend që në territoret shqiptare të inskenohen kësi gjëra dhe aty për aty përkufizimi se janë “veprime terroriste”, dhe ne po të mbështetemi në konventat ndërkombëtare dhe aspektet e terrorizmit, përcaktimi i veprimit penal të paktën duhen 30 ditë të përcaktohet, e mos të flasim më për përcaktim terrorist. Janë prokuroria dhe organet hetimore të cilat në bazë të provave dhe argumenteve juridiko penale e vlerësojnë dhe cilësojnë se çfarë vepre penale është”- deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Incidenti në Gushincë grumbulloi me shpejtësi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar për të ashtuquajturën “vepër terroriste”, por aty mungonin përfaqësuesit shqiptarë.
Sipas analisti politik, Naser Zyberit, përveç që rasti në Gushincë është qesharak dhe assesi nuk mund të cilësohet si sulm terrorist, edhe mbledhja e presidentit me Këshillin e Sigurisë është mbajtur për të dramatizuar situatën dhe për të ngjyrosur politikisht.
“Mbledhja te kryetari i shtetit mendoj se është një mbledhje sa për tË treguar se ndodhë diçka, por në fakt është tërësisht pa përmbajtje, sepse as për nga struktura e as për nga temat që janë diskutuar nuk janë thelbësore dhe nuk janë në funksion të daljes nga kriza. Supozoj se motivi është që ngjarjeve në Gushincë t’u jepet një ngjyrim politik dhe të thuhet se situata është dramatike dhe se mblidhet tani Këshilli për Mbrojtje dhe Siguri për të shqyrtuar situatën. Por, besoj se krejt kjo është vetëm një folklor, i cili dëshiron që edhe më tej të mbajë tensionin dhe kriza të vazhdojë, që mos të ketë dalje nga situata e krijuar për të cilën fajtor në rend të parë është qeveria”- tha analisti, Naser Zyberi.
Zyberi, është i mendimit që ndodhia në Gushincë flet për një kurdisje, e cila është në funksion të dramatizimit të situatës, për të vënë në harresë situatën politike në vend.
Zyberi, është optimist se kësaj radhe qytetarët nuk do të behën pjesë e këtij skenari politik, por do të kërkojnë dalje sa më të shpejtë nga kriza që ka kapluar vendin.
SANIJE KASAMI
