Maqedoni
Ligji për përdorimin e gjuhëve, Mickoski: Qeveria do t’i respektojë vendimet gjyqësore
03.09.2024 15:40
Ligji për përdorimin e gjuhëve në fillim të tetorit pritet të jetë nën thjerrëzën e gjykatësve të kushtetueses....

Ligji për përdorimin e gjuhëve në fillim të tetorit pritet të jetë nën thjerrëzën e gjykatësve të kushtetueses. Edhe pas 6 viteve nga miratimi, kushtetueshmëria e këtij ligji vazhdon të jetë temë e nxehtë midis politikanëve. Hristijan Mickoski thotë se nuk ka nevojë që kjo çështje të politizohet dhe se çdo vendim që del nga Gjykata Kushtetuese duhet të respektohet.
“Nuk është vendim politik, por vendim i gjykatës dhe ne si Qeveri duhet të respektojmë vendim gjyqësor pavarësisht se çfarë vendimi sjellin. Çështja është se nëse Gjykata Kushtetuese sjell vendim se ligji është jokushtetues, pse ata që e kanë miratuar, kanë bërë që i njëjti të jetë jokushtetues. Në politikë nuk ka çështje që nuk na pëlqejnë ose na pëlqejnë ose respektoni ligje dhe kushtetutë ose jo. Kjo Qeveri do të respektojë edhe ligj edhe kushtetutë pavarësisht nëse dikujt i pëlqejnë ose jo ato vendime gjyqësore.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski apeloi që mos t’u bëhet presion institucioneve gjyqësore dhe as të merr kahje politike kjo çështje. Sipas tij, të gjitha përgjigjet mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji i tregon qartë Komisioni i Venecias.
“Ligji është dorëzuar në kuadër të Gjykatës Kushtetuese, të presim. Nuk e di pse bëhet kjo trysni. Unë kuptoj se BDI-ja, njerëzit që 20 vitet e kaluara, kanë robëruar një sërë institucione. Nga të varfër u bënë milionerë, do të tentojnë të manipulojnë një pjesë të bashkëqytetarëve tanë me tema etnike. Madje, disa prej tyre guxuan edhe me tema fetare të përpiqen të manipulojnë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
I pyetur se a mund të pësojë përmirësime ky ligj, Mickoski e pohoi këtë, por sipas tij, gjithçka duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.
SANIJE DURAKU
