Maqedoni
Zjarret, QMK: Për momentin ka 4 zjarre aktive
03.09.2024 16:10
Vazhdon beteja e Qendrës për Menaxhimin e Krizave me stuhinë e zjarreve...

Vazhdon beteja e Qendrës për Menaxhimin e Krizave me stuhinë e zjarreve, e cila kishte filluar para disa muajve, por në krahasim me të njëjtën periudhë, gjendja është më stabile. Sipas QMK-së, gjatë ditës janë regjistruar 8 zjarre në ambient të hapur, nga të cilat 4 janë akoma aktive, ndërsa dy të tjera janë vendosur nën kontroll dhe po aq janë shuar tërësisht.
“Gjatë ditës deri në ora 13:30 kishte gjithsej 8 zjarre në ambient të hapur, nga të cilat 4 janë aktive, 2 janë nën kontroll dhe 2 të tjera janë shuar tërësisht. Zjarret aktive për momentin janë në komunën e Çashkës në Malin Mukos në fshatin Stepanci, pastaj zjarri afër fshatit Omoran dhe fshatin Kadicë, zjarri në fshatin Oraov Dol. Pastaj në komunën e Prilepit kemi zjarre aktive në fshatin Peshtani, Kokre dhe në fshatin Kalen. Në komunën e Çuçer Sandevës kemi zjarre aktive në fshatin Tanushë dhe në fshatin Ramne. Në komunën e Strugës kemi zjarre aktive në fshatin Gorno Tateshi.”, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Sipas kësaj Qendre gëzon fakti se si rezultat i intervenimit të shpejtë dhe efikas, shumë zjarre të cilat ishin aktive në rajonin e Shkupit janë shuar tërësisht. Ndërsa intervenimet e suksesshme kanë rezultuar me efikasitet edhe në vendosjen nën kontroll dy zjarret edhe atë në komunën e Shtipit në fshatin Haxhi Hamzali, në fshatin Edeklerci, në fshatin Toplik dhe në afërsi të Poligonit Krivollak. Po ashtu nga QMK-ja informojnë se edhe zjarri në komunën e Demir Hisarit në vendin Vardinos është vendosur nën kontroll. Nga QMK-ja gjithashtu njoftojnë se dy zjarret në komunën e Prilepit dhe në komunën e Gostivarit në fshatin Debresh janë shuar tërësisht.
FITIM KRYEZIU
