Maqedoni
Korrupsioni në gjyqësi, 19 rekomandime për parandalimin e korrupsionit
22.04.2015 17:01
Edhe gjykatësit janë njerëz dhe kanë lirinë e tyre të të shprehurit, por atë nuk guxojnë ta vënë në favor të zhvillimeve të caktuara politike...

Edhe gjykatësit janë njerëz dhe kanë lirinë e tyre të të shprehurit, por atë nuk guxojnë ta vënë në favor të zhvillimeve të caktuara politike, qoftë edhe nëpër rrjetet sociale, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me angazhimin e tyre profesional, që nënkupton pavarësinë e tyre politike.
Kështu deklaroi kryetarja e Akademisë për Gjykatës, Aneta Arnaudova, në margjinat e konferencës dyditore “Lufta kundër korrupsionit”, që po zhvillohet në Shkup.
“Gjykatësit nuk guxojnë të komentojnë zhvillime politike, me të cilën do të vihen në njërën apo tjetrën anë dhe të shprehin përkatësinë politike, nga se e dimë që është i ndaluar angazhimi politik. Gjithashtu është kundër kodeksit etik që edhe në rrjetet sociale të vihen “pëlqime-like” për përfaqësuesit e pozitës apo opozitës, sepse kjo e shemb percepsionin për gjykatës të pavarur”- deklaroi drejtoresha e Akademisë së Gjykatësve, Aneta Arnaudova.
Ndërkohë, kryetari i komitetit GREKO pranë Këshillit të Evropës theksoi se drejtësisë në Maqedoni i janë përcaktuar 19 rekomandime, të cilat, sipas tij, duhet ta ndihmojnë parandalimin e korrupsionit në gjyqësi dhe prokurori.
“Shumë vende të EJL-së përballen me një pasqyrë të keqe për sa i përket korrupsionit dhe sidomos në gjyqësi dhe prokurori. Disa vende kanë marrë rekomandime që TV-të hulumtojnë se pse ndodhë ashtu. Edhe pse Maqedonia nuk e ka këtë rekomandim, ndoshta nuk do të ishte keq që të kryhet një hulumtim i tillë. Të dhënat që i kemi ne në GREKO flasin se gjendja qëndron më mirë se sa përshtypja e krijuar. Kur do të përmirësohej gjendja, do të përmirësohej edhe përshtypja e krijuar”- tha kryetari i GREKO-s, Martin Marçello.
Maqedonisë iu ndanë 18 muaj për të përmbushur rekomandimet e Komitetit GREKO, ndërsa në fund të dhjetorit duhet të marrë vlerësimin për zbatimin e tyre.
NAIM RAMADANI
