Botë
Kievi kërkon të përdorë raketa me rreze të gjata veprimi
03.09.2024 17:44
Lufta në Ukrainë është në ditën e 922-të....

Lufta në Ukrainë është në ditën e 922-të. Kievi pretendon se po bën përparim në ofensivën në territorin rus dhe se situata në frontin në lindje të vendit është jashtëzakonisht e vështirë. Moska vazhdon me sulmet me raketa.
“Ne nuk dëgjuam as zërin e raketave, vetëm një shpërthim. Disa fëmijë filluan të iknin dhe tani dëgjuam se mbesa, nëna dhe një fëmijë tjetër i miqve tanë vdiqën dhe njëri është në terapi intensive.", - tha banorja e Zaporozhjes, Alina.
Pas intensifikimit të ofensivës ruse në frontin lindor, Kievi përsëriti kërkesën drejtuar Shtëpisë së Bardhë për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi më thellë në territorin rus dhe mori një përgjigje nga presidenti Bajden.
"Unë e kam bërë të qartë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të mbështesim.", - theksoi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
Ukraina u ka kërkuar aleatëve të saj në NATO dhe BE që të lejojnë përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në territorin e agresorit rus. Ndërkohë presidenti rus vizitoi Mongolinë ku nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim ekonomiko-mbrojtës, i cili sipas tij mbron në mënyrë strategjike pjesën e brendshme të Lindjes së Largët ndaj Japonisë dhe aleatëve perëndimorë.
“Me këtë kemi arritur një dialog të qëndrueshëm midis krerëve të qeverive, parlamenteve, organizatave publike dhe në fushën e sigurisë.”, - u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Putini e ftoi Gurelsukun në 80-vjetorin e fitores ruso-mongole mbi Japoninë në Luftën e Dytë Botërore. Më herët diplomacia ukrainase ka kërkuar nga Ulan Bator arrestimin e kreut të Kremlinit, për shkak të aktakuzës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krime lufte. Mongolia nuk iu përgjigj kërkesës. Opozita ruse në Egzil është në të njëjtën linjë me Kievin.
BELINDA KOKA ADEMI
