Maqedoni
34.5 milionë euro për universitetin “Nënë Tereza”, Mexhiti: Vendim historik, po ndërtojmë kampusin
03.09.2024 18:10
Në seancën e sotme të Qeverisë u miratua vendimi që Universitetit "Nënë Tereza"...

Në seancën e sotme të Qeverisë u miratua vendimi që Universitetit "Nënë Tereza" ti ndahen 34.5 milion euro. Zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti theksoi se ky është vendim historik dhe simbol i vizionit për të rinjtë dhe gjithë vendin.
“Ky projekt nuk është thjesht një ndërtim, por një simbol i vizionit tonë për një të ardhme më të ndritur për të rinjtë dhe për vendin tonë. Për dekada, brezat kanë ëndërruar një qendër të tillë edukative që do të pasurojë jo vetëm dijen, por edhe shpirtin e një kombi të tërë. Sot, ajo ëndërr po bëhet realitet”, u shpreh zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti.
Sipas tij projekti është gati dhe se po kryhen të gjitha procedurat për ndërtimin e kampusit universitar.
“Projekti është gati, po kryhen procedurat për ndërtimin e kampusit universitar...do të ketë amfiteatër...do të ketë kampus universitar modern, me sallë sporti, pishinë", theksoi Mexhiti.
Universiteti Nënë Tereza para 1 viti është vendosur në hapsirat e ish-kazermës "Ilinden". U themelua në vitin 2016. Ka 8 fakultete, mësimi zhvillohet në 3 gjuhë, ka afër 5000 studentë të regjistruar, mbi 100 profesorë e asistentë dhe 70 administratorë.
ARMEND MURSELI
