Maqedoni

“Bomba e XXIV”, publikohen biseda për ndikim të pushtetit mbi mediat, Zaev: së shpejti do të publikojmë biseda për “Monstrën”

22.04.2015 18:05

Mediat e vendit nën kontroll të pushtetit. Janë këto pretendimet e “bombës” së 24 të LSDM-së...

Në njërën nga bisedat dëgjohet se si ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ka një fletore me emrat e gazetarëve që do të duhet të pranohen në servisin e parë të televizionit publik, ndërsa në një bisedë tjetër Jankullovska merret vesh me kryeministrin Gruevski për njerëzit që do të duhet të raportonin nga Athina dhe Uashingtoni.
 
Presion, sipas bisedave të përgjuara, është ushtruar edhe mbi pronarët e televizioneve, Kanal 5 dhe Sitel.
 
“Bëhet fjalë për porosi direkte. Protugjer kërkon nga pronari i Kanal5, Stojmenov, televizioni të mos transmetojë anketë të bërë nga “Dnevnik”, i cili nuk shkon në favor të pushtetit. Protuger kërkon nga Stojmenov që të largohet qëndrimi i analistit, Denko Maleski, që e ka xhiruar kryeredaktorja Bogatinova. Ndërsa Emill, madje, ka pyetur se kë do të duhej që ta merrte kryeredaktorja Bogatinova. Nikolla Gruevski jo vetëm që ka porositur tekste për gazetën “Veçer” kundër partnerit të tij të biznesit, Orce Kamçev, por edhe vetë e ka shkruar tekstin”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Të gjitha këto nënshtrime të pronarëve të televizioneve private ndaj pushtetit, sipas liderit të LSDM-së, Zaev, janë bërë për përfitime personale. 
 
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, lobon që pronari i TV Sitel, Goran Ivanov, të përfitojë një tender në Kratovë, ndërsa DAP-i të mbyll sytë për një nga ndërmarrjet e pronarit të Kanal5, Emill Stojmenov.
 
Zaev thotë se janë duke u numëruar edhe çastet e fundit të publikimit të bisedave për procesin “Monstra”.
 
“Siç po shihni, si[ po shkojnë punët koha është afruar. Kuptohet, jo vetëm për “Monstrën”, do të dëgjoni edhe për krime financiare që kanë të bëjnë me pushtetin, që ju e dini se deri në 2008-ën pjesë e qeverisë ishte PDSH-ja, ndërsa nga 2008-a e këndej është BDI”- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev, i komentoi edhe ngjarjet e fundit në Gushincë. Sipas Zaevit, cilido qoftë të ishte skenari i këtyre ngjarjeve, populli ynë, tha Zaev, është garanci për sigurinë e shtetit.
 
MERAL ISMAILI