Maqedoni

Burgu i Shutkës, të burgosurit në grevë urie, drejtuesit demantojnë

22.04.2015 18:06

Të burgosurit në Burgun e Shutkës, që nga dita e hënë po mbajnë grevë urie. Këtë e pohojnë pas kamerave të afërmit e të burgosurve, por edhe vetë gardianët...

Por, autoritetet e burgut mohojnë se atje të burgosurit janë në grevë. Këtë lajm e demanton edhe drejtoresha e Drejtorisë për Ekzekutimin e Dënimeve, Lidija Gavrillovska.        
                                          
“Më herët më pyetën disa gazetarë për grevë urie, jo nuk ka, do të thotë nuk ka, nuk ka”- u shpreh drejtoresha e Drejtorisë për Ekzekutimin e Dënimeve, Lidija Gavrillovska.
 
Por, avokati, Naser Raufi, konfirmon grevën të cilën e ka vërtetuar gjatë vizitës së klientëve të tij në këtë burg.
 
Sipas tij, greva me uri nga të burgosurit në Burgun e Shutkës është në përgjithësi për kushtet e vështira të burgut, por edhe për arsye dhe pakënaqësi të shumta individuale nga të burgosurit nga mossundimi i ligjit dhe dëshpërimi i tyre për zgjatjen e paraburgimit.
 
“Duke pritur të bëjë vizitën, pashë se asnjëri prej familjarëve që vinin me pako me ushqim, asnjërit nuk ia pranuan pakon, për arsye që vetë gardianët e thanë ka grevë dhe nuk mund të jepet ushqimi, qenka e ndaluar, se pasi janë të arrestuarit në grevë, të mos kenë të drejtë as të lënë ushqimin te Burgu i Shutkës. Të tre personat që vizitova janë në grevë edhe atë prej të hënës dhe mund të konstatoj se situata e tyre shëndetësore është shumë e keqe”- deklaroi avokati, Naser Raufi.
 
Drejtuesit e Burgut të Shutkës ishin të pakapshëm sot për të informuar se çfarë po ndodhë në brendësi të atyre mureve. 
 
FLORIJE KAMBERI