Maqedoni

Përbërja e re e Komisionit për Çështje Historike, Mickoski: Në rend dite në dy seancat e radhës

04.09.2024 14:04

Pas konsultimeve me ministrin e Jashtëm, Mucunski, kryeministri Hristijan Mickoski....

Pas konsultimeve me ministrin e Jashtëm, Mucunski, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron miratimin e përbërjes së re të Komisionit për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të votohet në një nga dy seancat e ardhshme të Qeverisë. Mickoski thotë se tashmë ka ide dhe mendime se kush do t’i zëvendësojnë anëtarët aktual, por shton se ato do të specifikohen pasi të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
 
“Mendoj se në seancën e ardhshme apo në seancën pas saj do të kalojë përbërja e re e Komisionit që negocion për çështje historike me fqinjin tonë lindor, por edhe me fqinjin jugor.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski paralajmëroi javën e kaluar ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Çështje Historike dhe Arsimore, pasi vlerëson se përbërja aktuale nuk i ka përmbushur pritjet dhe nuk i ka mbrojtur interesat kombëtare, ndërsa mohon se ndryshimet kanë prapavijë politike. Por, kryetari i komisionit, akademiku Dragi Gjorgjiev, ka vlerësuar se mënyra se si kryeministri i ka paralajmëruar ndryshimet kadrovike në komisionin historik të palës maqedonase është ndërhyrje brutale e politikës në punën e tij dhe komprometim i punës së anëtarëve të rinj. Komisioni i përbashkët multidisiplinar i ekspertëve për çështje historike dhe arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u formua si rezultat i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar më 1 gusht të vitit 2017 mes dy vendeve.
 
SANIJE DURAKU