Botë
Kosovë, KFOR-i, trajnim operacional mbi urën e Ibrit
04.09.2024 15:15
Forca të shtuara të KFOR-it, janë parë sërish mbi urën e Ibrit në Mitrovicë....

Forca të shtuara të KFOR-it, janë parë sërish mbi urën e Ibrit në Mitrovicë. Pjesëtarët e KFOR-it krijuan dy kordonë në anën veriore dhe jugore të urës dhe rreth tridhjetë prej tyre u pozicionuan me pajisje të plota, ndërsa kalimi për këmbësorët ishte i papenguar. KFOR-i ka bërë të ditur se dislokimi i trupave aty, vijon si pjesë e një trajnimi të paraparë në planet e tyre, për të mbrojtur standardet më të larta operacionale. KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.
“KFOR-i po monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet vigjilent. Është i vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj të OKB-së dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm përkatës.”, theksojnë nga KFOR-i.
Këto zhvillime vijnë pas paralajmërimeve të autoriteteve të Kosovës për hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve, si dhe pak ditë pas mbylljes së pesë institucione paralele serbe në veri.
GYLTENE SINANI
