Maqedoni

Zjarret aktive, mbi 200 persona luftojnë me zjarrin në Mariovë

04.09.2024 16:10

Zjarri, i cili mbrëmë u përshkallëzua në territorin e Mariovës së Prilepit, akoma është aktiv....

Zjarri, i cili mbrëmë u përshkallëzua në territorin e Mariovës së Prilepit, akoma është aktiv. Vija e zjarrit ishte më e gjatë se 20 kilometra. Flakë të mëdha dhe tym vërehen në afërsi të fshatrave Bonçe, Krushevicë, Peshtan, Dunje dhe Kalen. Qytetarët të tronditur rrëfejnë tmerrin.
 
“Vullnetarët akoma janë në terren dhe po fikin zjarrin. E shpëtuan fshatin. Ky është zjarri më i madh që ka ndodhur këtu gjatë jetës. Jam shumë i shqetësuar. Për pak sa nuk mu dogj shtëpia, jam në fillim ndër shtëpitë e para. Gjendja akoma është e tensionuar, ja ku shihet tymi. Nuk di si do të kalojmë më tutje.”, - tha një qytetar.
 
Për shkak të tymit të dendur dhe të madh as helikopterët nuk mund të fluturojnë mbi këtë zonë. Aktualisht, përveç anëtarëve të zjarrfikësve në Prilep, janë angazhuar edhe zjarrfikës nga komunat fqinje si Manastiri, Kavadari, Novaci, Mogilla, Resnja, Shën Nikolla, Shtipi, Stgrumica, Radovishi. Në fshatin Bonçe takuam edhe zjarrfikësit nga Ohri.
 
“Ne jemi në terren që nga ora 6 e mëngjesit. Aktualisht jemi përballë fshatit Bonçe, po e mbrojmë atë pjesë, pjesa jonë tashmë është nën kontroll dhe shpresojmë që gjatë ditës së sotme këtë pjesë ta mbarojmë plotësisht. Terreni është i madh dhe për këtë jemi të ndarë në disa grupe, në disa pjesë.”, - deklaroi komandant i zjarrfikësve në Ohër, Borko Jankuloski. 
 
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov, njoftoi se për sot janë dakorduar më shumë masa dhe aktivitete.
 
“Zjarri i cili shpërtheu para disa ditësh në Prilep, gjatë natës ka eskaluar, ku linja e zjarrit ka arritur deri në 20 km, ku kemi sjellë shumë vendime që masat në këtë pjesë të shtohen. Në vendin e ngjarjes kanë arritur 75 pjesëtarë të Armatës dhe 25 pjesëtarë të njësitit “Tigrat”, 40 të punësuar në “Pyjet e Maqedonisë” dhe mbi 60 zjarrfikës apo numri i përgjithshëm është 195 pjesëtarë.”, - theksoi drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov.
 
Në tërë territorin e shtetit, gjatë ditës së djeshme kanë rënë gjithsej 27 zjarre, nga të cilat 4 janë aktive, dy janë nën kontroll dhe 21 janë shuar plotësisht.
 
FITIM KRYEZIU