Maqedoni
Përplasje VMRO/LSDM, kush e solli kompaninë gjermane për bateri?
04.09.2024 16:29
Investimi i ri i kompanisë gjermane për prodhimin e baterive të litiumit ka ngjallur reagime mes pushtetit dhe opozitës maqedonase....
Investimi i ri i kompanisë gjermane për prodhimin e baterive të litiumit ka ngjallur reagime mes pushtetit dhe opozitës maqedonase. Pas paralajmërimit të Qeverisë për këtë investim, LSDM-ja njoftoi se ky investim është dakorduar shtatorin e vitit të kaluar nën udhëheqjen e ish-zëvendëskryeministrit, Fatmir Bytyqi. Ndaj kësaj ka reaguar kryeministri i cili e falënderoi Bytyqin për punën e tij që ka arritur ta sjellë procesin deri këtu dhe i vjen keq që të njëjtin nuk e ka përfunduar.
“Ish zëvendëskryeministri i Qeverisë, Bytyqi, dje deklaroi se ai e ka sjellë këtë investim, në emri tim e falënderoj që e ka udhëhequr procesin deri këtu dhe më vjen keq që nuk ka arritur ta përfundojë. Supozoj se nuk ka arritur t’i bind qytetarët ashtu siç i ka bindur bashkëpartiakët e tij më 8 maj dhe për atë humbi. Për këtë arsye, tani kjo qeveri duhej së bashku me investitorin ta përfundojë këtë proces, ku unë pres edhe shumë investime të tilla në periudhën që vjen.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ish-zëvendëskryeministri, Bytyqi, në rrjetin e tij social fejsbuk ka publikuar foto nga viti i kaluar ku shihet dakordimi me investitorin gjerman, me mbishkrimin: “Mund të kishit thirrur për shoqërim.”. Nuk ka munguar as reagimi i LSDM-së.
“Investimi i fundit i BMZ-së gjermane është i fundit nga seria e investimeve të kryera tërësisht nga LSDM-ja, që Mickoski u përpoq t'i prezantojë si të tijat, kështu që pas reagimeve më në fund është dashur të pranojë se investimi është bërë në kohën e LSDM-së.”, thuhet mes tjerash në kumtesën e LSDM-së.
E ndaj këtyre akuzave të ndërsjella mes LSDM-së dhe VMRO-së nuk ka munguar edhe reagimi i ish-drejtorit të Zonës Zhvillimore Teknologjike, Jovan Despotovski, i cili ka thënë se rol udhëheqës për këtë investim ka pasur ekipi i Zonës Zhvillimore. Për këtë, sipas tij, ky investim nuk është as i njërës as i tjetrës parti, por është investim i të gjithë qytetarëve. Ndryshe, investimi gjerman për prodhimin e baterive litiumi është në vlerë prej 65 milionë euro dhe pritet të hapë rreth 700 vende të reja të punës.
GAZMEND KURTISHI