Maqedoni

Shqyrtimi i Ligjit të gjuhëve, Mexhiti: Jo abrogim, por shqyrtim i disa neneve

04.09.2024 16:56

Iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin e gjuhës shqipe nuk ka për qëllim abrogimin...

Iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin e gjuhës shqipe nuk ka për qëllim abrogimin, por ndërhyrjen në disa nene, siguron zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. Ai konsideron se Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj për ndërhyrje, përpos aspektin juridik duhet të ketë parasysh edhe atë politik, pasi çdo veprim do të shpinte në rritje tensionesh, për të cilat Mexhiti hap dilemat se mund të jenë të nxitura nga BDI-ja.
 
“Vetë BDI-ja e ka dërguar në Komisionin e Venedikut, vetë BDI-ja i ka pritur konkluzionet e Komisionit të Venedikut dhe pse kjo lëndë është mbajtur në Gjykatën Kushtetuese në sirtar vite të tëra dhe pse BDI-ja ka sjell një ligj i cili ka problem me Kushtetutën, janë probleme të cilat duhet t’i sqarojë BDI-ja, dhe pyetja është se përse kaq vite mbahet në sirtar dhe tash janë në gjendje ta keqpërdorin edhe gjuhën shqipe vetëm për të krijuar destabilizim dhe trazira dhe për ta shpëtuar vetveten nga proceset gjyqësore.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
BDI: Kryetari i Kushtetueses nën presion politik
 
Por, nga BDI-ja thonë se VLEN-i nën dirigjimin e VMRO-DPMNE-së lejon të goditet Marrëveshja e Ohrit. Sipas tyre, kryetari i Kushtetueses është vetëm realizues i politikave të tilla.
 
“Darko Kostadinovski u zgjodh anëtar në Gjykatën Kushtetuese si propozim i ish-presidentit Ivanov, ndërsa u bë kryetar në kohën e kësaj qeverie me legjitimitet monoetnik. Presupozimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është presion politik mbi gjykatësit, me porosi nga Qeveria me legjitimitet monoetnik për t’i poshtëruar shqiptarët.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
 
Bilalli: Eskalim me përmasa të ndryshme
 
Sipas ekspertit juridik, Mersel Bilalli, Kushtetuesja në vendimin e saj, përpos parametrave juridike duhet të vlerësojë edhe ambientin politik, pasi rreziku për tensionim të situatës, sipas tij është i madh. Bilalli konsideron se shqyrtimi është kulminacion i nacionalizmit të luajtur shumë kohë më parë, i aktualizuar në fushatën parazgjedhore të VMRO-DPMNE-së, të cilët tani qëndrojnë në prapavijë edhe pse “E Majta” thirret si iniciator.
 
“Pa dallim se kush formalisht qëndron pas kësaj, pjesërisht fryma e mbjellë në fushatë parazgjedhore nga ana e VMRO – DPMNE-së vetëm se ka përforcuar këtë situatë. Përveç atij politik mund të ketë edhe destabilizime të kufizuara apo të përmasave pak më të mëdha, por jam i sigurt se ashpërsim serioz do të ketë dhe të gjithë ato lojtarët të cilët dëshirojnë të vazhdojnë poentimin politik apo të dëshmojnë atë që kanë premtuar dikur dhe ua kanë njëfarë borxhi moral elektoratit të tyre, duhet seriozisht të shihen para pasqyrës.”, - theksoi profesori universitar, Mersel Bilalli.
 
Bilalli konsideron se situata mund të agravojë edhe me thellim të nacionalizmit ekonomik, pasi pushteti aktual, veç më ka shtrirë tre investime në pjesën lindore të vendit.
 
MERAL ISMAILI