Botë

Ukrainë, shtatë të vdekur nga sulmet ruse

04.09.2024 17:42

Kanë vazhduar sulmet ruse në Kiev dhe në qendrën e Lavovit.

Kanë vazhduar sulmet ruse në Kiev dhe në qendrën e Lavovit. Po ashtu u godit edhe ndërtesa e universitetit në Sumi. Zyrtarët ukrainas në Kiev dhe disa rajone tjera në Ukrainë kanë raportuar për sulme raketore dhe me dronë, të nisura prej mesnatës deri në agim dhe si pasojë janë vrarë të paktën shtatë persona.
 
“Ishte një ndërtesë civile, jo një objekt ushtarak. Pas shpërthimit na u desh të kalonim nëpër bodrum për të dalë nga dritarja.”, - tha roja e sigurisë në universitetin në Sumi, Ihor Saburov.
 
Shtëpia e Bardhë me mbështetje të palëkundur për Kievin pas sulmit në Poltavë, që vrau 51 persona dhe plagosi mbi 250 të tjerë. Reagime ndaj brutalitetit rus erdhën edhe nga Varshava.
 
“Kjo dëshmon se Putini, gjatë kësaj, synon jo vetëm të shkatërrojë objektivat ushtarake, siç deklaroi ai, por edhe të shkatërrojë infrastrukturën civile, jetën e njerëzve, ëndrrat, të ardhmen. Këto sulme kërkojnë një përgjigje të qartë. Rusia duhet të ndalet. Është një kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të gjithë Evropën. Ne duhet të qëndrojmë fort së bashku kundër kësaj.”, - deklaroi kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit polak, Simon Holounia.
 
Zelenski, mirënjohës për sistemet Patriot nga Rumania, tha se po punon për mbrojtje shtesë të Ukrainës.
 
“Ne vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët tanë për zgjidhje më të forta për mbrojtjen tonë, për zgjidhje me rreze të gjata që mund të shkatërrojë një pjesë të konsiderueshme të balistikës ruse përpara se të lëshohen. Një autorizim i tillë është hapi më i madh drejt përfundimit real të kësaj lufte. Rusia thjesht nuk di të luftojë pa terror.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Ukraina do të mbajë territorin e pushtuar rus derisa ta detyrojë Putinin të negociojë, theksoi Zelenski. Ndërkohë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, ka dorëzuar dorëheqjen, pasi presidenti Zelenski, i ka bërë të ditura planet për riformatim të kabinetit qeveritar. Një ditë më parë janë dorëhequr edhe zëvendëskryeministrja për Integrime Evropiane dhe Euroatlantike, Olha Stefanishina, zëvendëskryeministrja për Riintegrim të Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, Irina Vereshcuk, si dhe ministrat e Industrisë Strategjike, Drejtësisë dhe Ambientit. Zelenski ka thënë se ndryshimet në Qeverinë ukrainase do të bëhen për të forcuar ekzekutivin dhe për të sjellë rezultatet që i duhen shtetit. 
 
FITORE DEMOLLI