Qeveria shpall thirrje publike për komunat, planifikohen 250 milionë euro për projekte kapitale
Me 250 milionë euro të siguruara nga Qeveria...

Me 250 milionë euro të siguruara nga Qeveria do të stimulohet zhvillimi i komunave dhe do të përmirësohet jeta e qytetarëve. Qeveria ka publikuar thirrje publike përmes së cilës komunat do të aplikojnë me projekte infrastrukturore dhe kapitale në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara më parë. Komunat kanë afat 7 ditë që të plotësojnë formularin dhe më pas në afat prej 10 ditëve duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë.
“Komunat mund të aplikojnë me një ose më shumë projekte infrastrukturore në fushën e kulturës, sportit, mjedisit, infrastrukturës rrugore, si dhe në fushën e politikës sociale dhe arsimit. Afati për plotësimin e formularit është shtatë ditë dhe i njëjti i plotësuar me projekte nga komuna duhet të dorëzohet në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Më pas, brenda 10 ditëve, dokumentacioni i plotë dorëzohet nga komunat pranë ministrisë përkatëse në zonën e projektit, ku do të bëhet vlerësimi. Vlerësimi pritet të përfundojë në një afat jo më të gjatë se 10 ditë.”, - deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
Me thirrjen e parë publike që fillon prej 5 shtatorit dhe zgjatë deri më 11 shtator janë vënë në dispozicion 100 milionë euro.
“Po i dërgoj një apel sa më shumë komunave, pavarësisht prejardhjes politike të kryetarëve të komunave, që të marrin pjesë në këtë thirrje. Ne jemi Qeveri e të gjithë qytetarëve dhe synimi ynë është të përmirësojmë jetën e të gjithë qytetarëve. Këto para nënkuptojnë më shumë projekte dhe zgjidhje për qytetarët për rrugë të reja, bulevarde, shkolla, kopshte, kanalizime, gjithçka që u nevojitet në thelb qytetarëve.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Paratë do të shpërndahen përmes gjashtë ministrive, të Kulturës dhe Turizmit, Transportit, Ministrisë së Politikës Sociale, Arsimit, si dhe Mjedisit dhe Sportit. Ndërsa për monitorimin e gjithë procesit është krijuar një organ koordinues qeveritar, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe në të do të marrin pjesë përfaqësues të ministrive përkatëse. (Sanije Duraku, TVM2)
